Nga: Atdhe Gjoci
Mes rreshtave të protestës së djeshme lexohet qartë një e vërtetë e hidhur: Kjo shfaqje është politike dhe jo për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Shumë nga ata që kanë dalë në shesh, me të drejtë të prekur nga ajo që të gjithë e pranojmë si padrejtësi historike, po shfrytëzohen pa e kuptuar ende. Nuk ka asnjë arsye që mllefi ndaj ligjeve të reja, si Byroja për Konfiskimin e Pasurisë, të shfryhet në emër të Dhomave të Specializuara.
Pas fjalimeve politike që u mbajtën, synimi u bë edhe më i qartë. Sidoqoftë, kjo taktikë nuk e çon asgjëkund opozitën që tashmë duket se ka humbur rrugën. Tashmë pyetja kryesore është: nëse dëmi nga Haga na dhemb të gjithëve njësoj, pse po zvarritet votimi i presidentit? Pse nuk zgjidhet kjo çështje në vend që të krijohet bllokim? Kalkulimi është i thjeshtë: të krijohet ngërç, faji t’i lihet pushtetit, me shpresën se opozita fiton ndonjë përqindje më shumë në zgjedhje. Kështu, një kauzë e madhe ulet në nivelin e llogarive për pak vota.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shtrohet pyetja: sa e duan në të vërtetë lirimin e udhëheqësve të UÇK-së disa nga figurat kryesore të opozitës? Politikanët që sot drejtojnë PDK-në janë ngritur pikërisht nga zbrazëtira që la shkuarja e atyre udhëheqësve në Hagë. Po të ktheheshin sot Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, këta përfaqësues të sotëm do të humbisnin peshën dhe vëmendjen që kanë. Emrat e të akuzuarve u shërbejnë si simbol në tubime, por kthimi i tyre fizik do të rrezikonte pozicionet e tyre të ndërtuara mbi këtë mungesë.
Fytyra e vërtetë e kësaj situate shihet te dyert e Kuvendit. Deputetët që dikur votuan me dorën e tyre krijimin e kësaj gjykate, sot hyjnë e dalin mes turmës si heronj, vënë kushte dhe nuk lëshojnë pe për çështjen e presidentit.
Në anën tjetër, ata që atëherë e kundërshtuan këtë gjykatë dhe nuk e votuan, sot gjykohen nga turma dhe pengohen të dalin nga Kuvendi.
Kjo nuk është mbrojtje e historisë, por politikë e pastër ditore.
Në fund, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: A po protestohet sot për të mbrojtur dinjitetin e luftës sonë, apo po lejohet që një dhimbje e përbashkët kombëtare të përdoret si mjet për llogari pushteti?
