A do të mund të lirohen krerët e UÇK-së nga Gjykata e Apelit, duke u rrëzuar dënimi prej 81 vitesh burgim?

Nga: Avokat Gent Gjini

​A do të mund të lirohen krerët e UÇK-së nga Gjykata e Apelit nga dënimi prej 81 vitesh burgim? Kjo mbetet e mundur nëse mbrojtja i shfrytëzon si duhet 30 ditët e ardhshme për të përgatitur ankesa profesionale që rrëzojnë një aktgjykim të padrejtë, ndonëse e gjithë kjo situatë nxjerr në pah edhe lëshimet dhe përgjegjësinë e vetë avokatëve mbrojtës gjatë procesit të shkallës së parë.

​Gjykata Speciale ka dorëzuar aktgjykime dënuese me një total prej 81 vitesh burgim ndaj krerëve të UÇK-së. Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit — për krime lufte dhe për veprën penale të ndërmarrjes së përbashkët kriminale për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Tani, afati procedural 30-ditor për parashtrimin e ankesave në Gjykatën e Apelit u jep kohë avokatëve që t’i përgatisin ato në mënyrën më profesionale të mundshme, me qëllim që aktgjykimi të ndryshojë dhe krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm. Kjo ngase mbrojtja ka para vetes mjaft elemente demantuese dhe prova shfajësuese që aktgjykimi të shpallet i pavlefshëm. Së pari, nga aspekti juridik, cilësimi për ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk është provuar fare se krerët e UÇK-së kanë punuar sistematikisht në bashkëpunim, duke hartuar plane konkrete për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës.

​Së dyti, një problem thelbësor qëndron te natyra e provave që janë administruar në gjykatë, të cilat kanë ardhur si rezultat edhe nga pala serbe. Këto prova janë siguruar nga ushtria paramilitare serbe gjatë luftimeve me UÇK-në, të cilat i kishin gjetur dhe marrë nga zyrat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së apo nga zyra të tjera, si arkiva materiale, dokumente, vendime etj. Mënyra se si këto prova janë siguruar dhe konsideruar të ligjshme nga prokuroria dhe Gjykata Speciale duhet t’i shërbejë avokatëve mbrojtës që t’i zhvlerësojnë gjatë përgatitjes së ankesave. Provat e marra kinse nga zyrat e UÇK-së nga ushtria paramilitare serbe nuk duhet t’u falet besim, ngase janë të fabrikuara, të manipuluara dhe të panënshkruara. Mbrojtja e ka ngritur këtë teze, por konsideroj se me vonesë, sepse lufta për zhvlerësimin e këtyre provave është dashur të bëhej në seancë gjyqesore, e jo tani që avokatët e ish-krerëve të UÇK-së dalin në media pas marrjes së vendimit për të na treguar se me çfarë provash u dënuan krerët e UÇK-së. Përgjegjësia në këtë çështje pa dyshim i bie edhe mbrojtjes.

​Një tjetër aspekt kritik lidhet me mungesën e transparencës dhe mbylljen e seancave. Duke ditur se Gjykata Speciale vepron me ligjet penale të Kosovës dhe është pjesë e juridiksionit të saj, ajo që kërkojmë nga pala amerikane dhe ndihma e tyre është që të na mundësojnë që seanca në Apel të jetë publike. Duhet theksuar se në Gjykatën Speciale, 95% e seancave gjyqesore kanë qenë jo publike, jo të hapura, gjë që ka shkaktuar reagimin e avokatëve, por edhe kjo tregon performancë të dobët të tyre, ngase kjo çështje e mbylljes së seancave është dashur të ngrihej shumë kohë më parë, e jo tani pasi krerët e UÇK-së janë dënuar, duke na nxjerrë ne si popull para aktit të kryer ndërsa avokatët na derdhin lot krokodili.

Për këtë arsye kërkojmë që ekspertët eminentë juristë amerikanë të na ndihmojnë që çështja në Apel të jetë gjykim i hapur publik, pasi nga seancat e mbyllura kanë rrjedhur shumë prova të fabrikuara dhe dëshmitarë jo kredibilë. Në lidhje me këtë, jemi habitur edhe me faktin se tani, përveç krimeve të luftës, krerët e UÇK-së po akuzohen dhe dënohen edhe për vrasje të kundërshtarëve politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ku Thaçi dhe Veseli u dënuan edhe për vrasjen e kundërshtarit politik Beadin Hallaqi. Pikërisht nga seancat e mbyllura këto gjëra kanë rrjedhur, duke rënduar pozitën procedurale të tyre, ndërsa mbrojtja nuk na kishte treguar gjë, që përbën gjithashtu një dobësi të tyre.

​Megjithatë, nga gjithë këto të këqija të kësaj gjykate, fatmirësisht kjo gjykatë ka rrëzuar disa akuza qenësore të Prokurorisë Speciale, edhe pse në anën tjetër i dënoi krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim. Veprat penale të krimeve kundër njerëzimit nuk arritën të provohen, dhe ky është një mesazh i mirë që mund dhe duhet t’i shërbejë mbrojtjes në procedurën e ankimimit në Gjykatën e Apelit. Pikërisht kjo akuzë e rrëzuar për krime kundër njerëzimit konfirmon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime ndaj popullatës civile dhe dëshmon se lufta e UÇK-së ka qenë luftë kundër okupatorit dhe luftë e pastër çlirimtare.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME