Ndërgjegjja njerëzore mund të mos zhduket pas vdekjes fizike, por të shpërndahet në univers si informacion kuantik. Kjo është hipoteza e njohur si Orch-OR (Orchestrated Objective Reduction / Reduktimi Objektiv i Orkestruar), e mbrojtur nga fizikanti nobelist britanik Roger Penrose dhe anesteziologu amerikan Stuart Hameroff, sipas të cilëve mendja nuk është produkt i thjeshtë i reaksioneve kimike në tru, por i proceseve kuantike në shkallë mikroskopike.
Sipas kësaj teorie, këto procese kuantike zhvillohen brenda mikrotubulave — strukturave citoskeletike brenda qelizave cerebrale. Penrose dhe Hameroff argumentojnë se me ndërprerjen e funksioneve jetësore të trupit, informacioni kuantik brenda këtyre strukturave nuk asgjësohet, por shpërndahet në pëlhurën fundamentale të hapësirë-kohës, duke ndryshuar formë, por pa u zhdukur plotësisht.
Peshën publike këtij debati ia shton autoriteti shkencor i Roger Penrose, i cili u nderua me Çmimin Nobel në Fizikë në vitin 2020 për zbulimin teorik se formimi i vrimave të zeza është një parashikim i fuqishëm i teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Einstein-it. Edhe pse çmimi i madh iu dha për kërkimet në astrofizikë, teoretizimet e tij mbi ndërgjegjen kanë nxitur debate të mëdha ndërdisiplinore.
Pavarësisht kornizës magjepsëse, hipoteza Orch-OR mbetet gjerësisht e paprovuar dhe sfidohet ashpër nga komuniteti i neuroshkencës dhe fizikës. Kritikët argumentojnë se mjedisi i ngrohtë dhe “i zhurmshëm” i trurit shkakton dekoherencë kuantike pothuajse menjëherë — një dukuri ku gjendjet kuantike shkatërrohen në një fraksion të mikrosekondës — duke e bërë të pamundur ruajtjen e proceseve të tilla brenda neuroneve.
Sidoqoftë, pyetja se sa komplekse është ndërgjegjja njerëzore vazhdon të mbetet një nga enigmat më të mëdha të shkencës moderne./Korrespodenti
