‘The Albanian Files’/ Artan Hoxha: SPAK mund të çmontojë të gjithë sistemin e Edi Ramës me këtë dosje

Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se SPAK disponon tashmë një material që, sipas tij, mund të shfrytëzohet menjëherë për nisjen e procedimeve hetimore. Duke komentuar librin “Dosjet Shqiptare”, ai tha se botimi përmban informacione të detajuara mbi kompani ndërkombëtare arkitekture, projekte ndërtimi dhe financimin e tyre në Shqipëri.

Sipas Hoxhës, nëse SPAK do të funksiononte sipas objektivave për të cilat u krijua, edhe kërkesat e protestuesve do të kishin një tjetër nivel.

“Nëse SPAK-u do të ishte në linjën për të cilën u premtua dhe u krijua, sigurisht që unë besoj se protestë do kishte, por kërkesat e protestuesve do të ishin shumë herë më të ndryshme nga ato që janë sot. Pra po t’i shikosh, kërkesat e protestuesve duket sikur janë aktakuza, të gjitha ato që do t’i kishte bërë prokuroria e posaçme.”, tha Hoxha.

Duke iu referuar librit “Dosjet Shqiptare”, Hoxha tha se materiali përmban të dhëna që, sipas tij, nuk kërkojnë hetime të ndërlikuara për t’u verifikuar.

“Për shembull dje unë i pashë protestuesit, mos gaboja dje çuan në SPAK librin ‘Dosjet e Shqiptarëve’. Unë mendoj që SPAK s’ka nevojë t’ia çojë njeri atë, që në momentin që është publikuar ai material, një prokuror ose një oficer i BKH-së, regjistron procedimin nga një burim i hapur, merr atë librin dhe po ka akuzë më të detajuar aty dhe më të bukur se ajo ata e kanë bërë nga zelli për t’i shërbyer Ramës, por kanë përmbledhur në 750 faqe gjithë thelbin e sistemit që ka sot, ose që mban sot në këmbë Ramën.”, tha gazetari në Syri TV.

Gazetari tha se libri përfshin të dhëna për 60 studio të mëdha arkitekture europiane dhe qindra projekte të zhvilluara në Shqipëri.

“Pra në ato 750 faqe ti ke 60 kompanitë kryesore të arkitekturës në Europë, të cilat kanë plotësuar vetë formularin, në dëshirën e tyre pa ua kërkuar askush, me detajet më të hollësishme. Dhe i thonë SPAK-ut, kemi 523 projekte që i kemi bërë, nuk kemi bërë garë se s’na ka kërkuar njeri garë, pra na ka marrë kryeministri vetë dhe na ka thënë: ‘Hajdeni këtu tek ne, sepse jeni të mirëpritur dhe do paguheni mirë’.”

Më tej ai u ndal te projektet që, sipas tij, janë të realizuara, në ndërtim ose në proces miratimi, duke argumentuar se verifikimi i tyre do të ishte i thjeshtë për organet hetimore.
“Tjetra, nga të gjitha ato projekte, natyrisht shumë interesante ajo pjesë, 57 janë ndërtuar, SPAK-u e ka fare kollaj të shkojë atje, të gjejë kush i ka ndërtuar, kush është financuesi, iku kjo. 53 të tjera po ndërtohen, i ke gati aty s’fshihen, nuk futen brenda, janë në festë të popullit. Dhe ke 47 që janë në proces leje.”

Sipas Hoxhës, libri ngre edhe pikëpyetje për burimin e financimit të një pjese të projekteve.

“Dhe tjetra, 7 studio mes tyre, ato më të mëdhatë, nuk kanë deklaruar 41% të financuesve. Kush i financon aty? Kush i ka financuar këto projekte? Pra kush ka kaq lekë në Shqipëri, të financojë grataçelat e këtij niveli?”

Në vijim ai tha se, sipas tij, ky material mund të çojë në zbardhjen e mënyrës së funksionimit të sistemit ekonomik dhe politik që lidhet me këto investime.

“Dhe kjo është gjë që SPAK-u vetëm me këtë çështje, për mua, nuk çmonton vetëm Ramën, por çmonton të gjithë sistemin dhe s’ka nevojë të kërkojë letërporosi.”

Hoxha pretendoi gjithashtu se përmes kontraktimit të studiove të huaja të arkitekturës është ndërtuar ndikim politik jashtë Shqipërisë.

“Dhe nëpërmjet këtyre pagesave Rama ka blerë influencën në vendet e Bashkimit Europian, prandaj i ka marrë këto studio. Ai ka gjetur një mënyrë për të blerë influencën. Dhe këto para, janë paratë e qytetarëve shqiptarë.”

Në fund të deklaratës së tij, gazetari e krahasoi librin “Dosjet Shqiptare” me materialet e dekriptuara të Sky ECC dhe EncroChat, duke thënë se ai përfaqëson një burim të rëndësishëm informacioni për hetimet mbi korrupsionin.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME