Raportimet e Reuters dhe Radio Evropa e Lirë për vënien në pikëpyetje të Samitit të NATO-s në Tiranë lexohen si një sinjal i fortë politik, në një moment kur marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe disa qendrave europiane të vendimmarrjes duken më të tensionuara se kurrë…
Radio Evropa e Lirë publikoi dje një lajm të zgjeruar, duke iu referuar burimeve sipas të cilave është vënë në pikëpyetje mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë vitin e ardhshëm.
REL shkruan se: “Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar nga burimet se Tirana nuk përmendet në draft-deklaratën për samitin e NATO-s, që mbahet në Ankara javën e ardhshme, si vendi ku do të zhvillohet samiti i radhës.”
Ndërkaq, agjencia Reuters, gjithashtu duke iu referuar burimeve, raportoi se mbajtja e samitit në Tiranë është vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata amerikane dhe pakënaqësisë së disa vendeve aleate lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Pra, kemi të bëjmë me dy media prestigjioze ndërkombëtare që raportojnë se në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel ka nisur të diskutohet mundësia e ndryshimit të vendit ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm.
Siç theksohet edhe në vetë raportimet, nuk kemi ende një vendim zyrtar për anulimin e Tiranës si vend pritës.
Megjithatë, vetë publikimi i këtij informacioni përbën një sinjal të fortë diplomatik.
Një lloj “çekiçi diplomatik” mbi kokën e Edi Ramës.
Por nga ka ardhur ky sinjal?
Janë të paktën dy elementë që të çojnë drejt një përgjigjeje.
Lajmi u publikua pikërisht në ditën kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Berlinin dhe mori pjesë në mbledhjen e qeverisë gjermane.
Pas takimit, ai doli në konferencë të përbashkët për shtyp me kancelarin Friedrich Merz dhe ministrin e Mbrojtjes, socialdemokratin Boris Pistorius.
Elementi i dytë lidhet me vetë Radio Evropa e Lirë.
Institucion që për dekada ishte financuar nga Shtetet e Bashkuara, por që pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk mbështetet më në të njëjtën mënyrë nga administrata amerikane.
Sipas këtij interpretimi, një pjesë e mbështetjes financiare ka kaluar te partnerët europianë, me Gjermaninë në një rol më të rëndësishëm.
Me një fjalë, ky lajm mund të lexohet si një mesazh politik që i vjen Edi Ramës nga Berlini.
Madje, sipas këtij interpretimi, edhe si një përgjigje ndaj akuzave të artikuluara së fundmi për një rol të shërbimeve gjermane në zhvillimet politike në Shqipëri.
Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë se Berlini po sinjalizon se është i gatshëm të përdorë të gjithë peshën e tij politike për të goditur një nga asetet më të rëndësishme ndërkombëtare të Edi Ramës.
Përkatësisht organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë.
Si mund të ndodhë kjo?
Përgjigjja jepet, në mënyrë të tërthortë, edhe nga vetë raportimet.
Nëse Gjermania nuk e mbështet organizimin e samitit në Tiranë, pesha e saj brenda Aleancës është e mjaftueshme për ta bërë këtë debat real.
Gjermania është kontribuesja e dytë më e madhe financiare në NATO pas Shteteve të Bashkuara.
Dhe kjo nuk është një peshë e vogël.
Është një sinjal politik që i kujton Edi Ramës se përplasja me Berlinin ka kosto.
Sidomos për një vend të vogël si Shqipëria.
Aq më tepër kur deri tani administrata Trump nuk ka dhënë asnjë mbështetje të hapur publike për të.
Pikërisht për këtë arsye, ky lajm, i dalë sipas të gjitha gjasave edhe mbi bazën e sinjaleve që qarkullojnë në qarqet euroatlantike, mund të jetë paralajmërimi i parë i një nisme politike brenda NATO-s.
Një nisme që mund të formalizohet me kërkesën për rishikimin e vendit ku do të mbahet samiti i ardhshëm.
Natyrisht, për një vendim të tillë do të nevojiten edhe lobime të tjera mes vendeve aleate.
Por nëse vende si Gjermania, Turqia dhe Greqia do të pozicionoheshin në të njëjtin drejtim, pesha politike do të ishte e konsiderueshme.
Një zhvillim i tillë mund të frenohej vetëm në rast se administrata Trump, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit do të hynin fuqishëm në mbështetje të mbajtjes së samitit në Tiranë.
Nëse kjo do të ndodhë apo jo, mbetet për t’u parë.
Por një debat i hapur brenda NATO-s për zhvendosjen e samitit do të ishte një kosto e rëndë politike për Edi Ramën.
Në fund të fundit, Aleanca ka alternativa.
Dhe Berlini tashmë duket se ka nxjerrë edhe një lokacion tjetër simbolik në rajon: Cetinjen.
