Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi
Deklarata e Behgjet Pacolli për tërheqjen nga projekti i aeroportit po shihet me skepticizëm, ndërsa ngrihen dyshime për marrëveshje të fshehtë me kryeministrin Edi Rama dhe përdorim të parave të taksapaguesve shqiptarë.
Sipërmarrësi i njohur, Behgjet Pacolli, ka reaguar për situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, në të cilin ai ishte aksioneri kryesor. Në një deklaratë ai thotë se heq dorë nga pronësia në këtë aeroport dhe arsyeton se “Nuk dëshiron të ndeshet me shtetin” (shqiptar). Ai thotë gjithashtu se në këtë vepër ishte aksioneri kryesor dhe se ka investuar për të 310 milion euro.
Sipas kësaj deklarate del se Pacolli heq dorë nga investimi dhe aksionet e tij në Aeroportin e Vlorës. Në pamje të parë mund të krijohet përshtypja se ai po e bën këtë për shkaqe patriotike dhe se po ia fal shtetit shqiptar 310 milionë euro të investuara. Pra Pacolli po na shet në këtë rast humanizëm patriotik.
Por kush mund ta besojë këtë fabul?! Sigurisht që ka plot naivë që mendojnë dhe shprehin konsiderata pozitive për zotin Pacolli. Megjithatë e vërteta nuk na thuhet. Eshtë naivitet i skajit ekstrem të mendosh se një sipërmarrës dhe biznesmen ia fal shtetot ose dikujt tjetër 310 milionë euro investime në një projekt, si ai i Vlorës. Eshtë marri ta besosh se Pacolli nuk do të donte që të mbante shumicën e aksioneve për të nxjerr fitime nga ky aeroport.
Atëherë çfarë ka ndodhur? Duke njohur Edi Ramën dhe duke kujtuar se në debatin për këtë aferë, Pacolli asnjëherë nuk e atakoi kryeministrin e Shqipërisë. Duke mbajtur në vëmendje gjithashtu marrëdhëniet e ngushta të përhershme të Pacollit me Edi Ramën, besoj fort se ka një axhendë dhe paketë shpërblyese për Pacollin nga ana kryeministrit të Shqipërisë. Koha do ta vëertetojë këtë që po them. Por Pacolli nuk heq dorë falas nga koncensioni i Aeroportit të Vlorës. Këtë nuk do ta bënte askush.
Dhe çfarëdo pakete shpërblyese të ketë ofruar Edi Rama për Pacollin, në lojë janë paratë e taksapaguesve të Shqipërisë! Kjo është e vërteta e fshehur në këtë aferë korruptive.
