Misteri i 7 prillit: Çfarë fshihej në valixhen e Mbretit Zog kur u largua nga Shqipëria?

Mbreti Zog I mbeti në histori si monarku që nuk mbajti kurrë një kurorë fizike mbi kokë, duke sfiduar traditën e mbretërive evropiane përmes një akti sa patriotik, aq edhe politik. Në ceremoninë e shpalljes së Monarkisë, më 1 shtator 1928, ai refuzoi kurorëzimin klasik me ar dhe gurë të çmuar, duke u mjaftuar me një betim solemn mbi Kushtetutën, Kuranin dhe Biblën.

Kjo zgjedhje simbolizonte unitetin fetar të shqiptarëve dhe bindjen e tij se e vetmja kurorë legjitime e kombit ishte Përkrenarja e Skënderbeut, e cila në atë kohë ndodhej në Vjenë. Zogu e konsideronte veten pasardhës shpirtëror të heroit kombëtar dhe besonte se asnjë punim tjetër argjendarie nuk mund të zëvendësonte simbolikën e “kokës së cjapit” të Kastriotit.

​Megjithatë, një kurorë e mirëfilltë mbretërore ekzistonte dhe ruhej si një thesar shtetëror në kasafortat e kohës. Ajo ishte porositur në Paris tek argjendarët e famshëm “Mellerio dits Meller”, peshonte plot 3.5 kilogramë ar i pastër dhe ishte e dekoruar me gjashtë gjethe lisi e në majë me simbolin e Skënderbeut. Kjo kurorë nuk u shfaq kurrë në publik, por pati një fat dramatik në prill të vitit 1939.

Kur tanket italiane pushtuan Shqipërinë, Mbreti e mori atë me vete në mërgim, të fshehur në një valixhe lëkure, fakt ky që u konfirmua më vonë edhe nga Mbretëresha Geraldinë. Ndërsa Mbreti qëndronte larg simboleve të rënda, Geraldina shkëlqente me tiarën e saj të diamanteve, e cila gjithashtu mbartte elemente kombëtare, duke u bërë imazhi i një monarkie që kërkonte të modernizohej pa humbur rrënjët.

​Pas largimit të mbretit, historia e kurorës mori një kthesë ironike dhe propagandistike.

Pasi nuk mundën të gjenin kurorën origjinale për t’ia dorëzuar mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, fashistët dhe qeveria kuislinge e Shefqet Vërlacit u detyruan të prodhonin me nxitim një kurorë të improvizuar. Ky objekt pa vlerë historike iu dorëzua mbretit italian në Romë si shenjë e nënshtrimit të Shqipërisë, duke krijuar paradoksin e një kurore “fake” që shënoi fundin e pavarësisë.

Sot, fati i këtyre objekteve mbetet i mbuluar nga mjegulla. Kurora origjinale e arit mendohet se ruhet ende në pronësi private të familjes mbretërore, ndërsa ajo e sajuar për italianët humbi pa gjurmë pas rënies së fashizmit, duke lënë pas vetëm dëshmitë dokumentare të një epoke plot kontraste./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME