Gripi që zgjat më shumë se 10 ditë mund të jetë më i rrezikshëm sesa mendoni, paralajmëron specialistja e mushkërive, Dr. Majlinda Gjocaj

Në një ligjëratë për platformën “Inteligjenca n’3D”, specialistja e sëmundjeve të mushkërive, dr. Majlinda Gjocaj, shpjegon dallimet mes ftohjes, gripit sezonal dhe virozave respiratore. Ajo sqaron pse antibiotikët nuk janë zgjidhje për këto gjendje dhe tregon si një infeksion i thjeshtë viral mund të kalojë në “kallje të mushkërive” nëse nuk trajtohet me kujdes. Përmes shembujve praktikë, dr. Gjocaj u ofron lexuesve udhëzime të qarta për ta mbrojtur shëndetin në muajt e ftohtë.

Në fillim të ligjëratës, dr. Gjocaj thekson se gripi sezonal dhe virozat nuk janë dukuri të reja, por pjesë e ciklit të përhershëm biologjik të njerëzimit. Ato qarkullojnë çdo vit dhe ndikojnë në miliona njerëz në mbarë botën. Ajo shpjegon se ekzistojnë katër lloje të viruseve të gripit – A, B, C dhe D – por më të rrezikshmet për njeriun janë të parat.

“Viruset e gripit A dhe B janë ato që prekin më së shumti njerëzit dhe mund të shkaktojnë epidemi. Të tjerat janë më të lehta dhe zakonisht kalojnë pa pasoja të mëdha,” shpjegon dr. Majlinda Gjocaj.

Sipas saj, historia ka treguar se virusi i gripit A është përgjegjës për disa nga pandemitë më të rënda të shekujve të kaluar, përfshirë gripin spanjoll të vitit 1918 dhe gripin e shpendëve në vitin 2009. Por sot, rreziku vjen edhe nga koronaviruset dhe lloje të tjera të reja respiratore që qarkullojnë çdo dimër.

“Viruset nuk zhduken kurrë – ato vetëm ndryshojnë formën. Mutacionet e reja mund të jenë më të rënda ose më të lehta, siç e pamë me nëntipet e COVID-19,” thekson ajo.

Mjekja tregon se periudha më aktive e qarkullimit të virozave është nga shtatori deri në prill, dhe shenjat e tyre janë të ngjashme: lodhje trupore, dhimbje eshtrash, bllokim hundësh, kollë apo temperaturë të lehtë. Megjithatë, kur këto shenja zgjasin mbi dhjetë ditë, situata kërkon kujdes të veçantë.

“Nëse simptomat zgjasin më shumë se dhjetë ditë, me temperaturë mbi 39–40 gradë dhe vështirësi në frymëmarrje, duhet të kontaktohet menjëherë mjeku. Mos prisni që gjendja të kalojë vetë,” këshillon ajo.

Një prej problemeve më të mëdha, sipas dr. Gjocajt, është përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve. Ajo paralajmëron se këto barna nuk shërbejnë kundër virozave dhe mund të dëmtojnë sistemin imunitar.

“Antibiotikët nuk janë zgjidhje për gripin apo virozat. Duhet përdorur vetëm kur ka ndërlikime dhe gjithmonë pas konsultës me mjekun,” thekson ajo.

Në pjesën tjetër të ligjëratës, pulmonologia shpjegon se gripi dhe ftohja shpesh ngatërrohen mes tyre, por kanë dallime të qarta. Gripi karakterizohet nga kollë e thatë dhe temperaturë e lartë, ndërsa ftohja shoqërohet me rrjedhje hundësh dhe gëlbazë.

“Në grip kolla është e thatë dhe temperatura shkon deri në 40 gradë. Në ftohje, temperatura mbetet e ulët dhe shfaqet rrjedhja e hundëve. Të dyja kalojnë me trajtim simptomatik dhe pa antibiotikë,” sqaron dr. Gjocaj.

Ajo shpjegon me një metaforë interesante mënyrën se si një virozë e lehtë mund të përfundojë në kallje mushkërish, nëse pacienti neglizhon trajtimin.

“Le ta imagjinojmë si një autostradë. Rruga është e drejtë – kjo është viroza. Por ndonjëherë dalim në një kthesë të detyrueshme dhe kalojmë nga gjendja virale në bakteriale, që çon në kalli të mushkërive,” thotë ajo.

Dr. Gjocaj thekson se personat më të rrezikuar janë fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobët – si diabetikët, pacientët me sëmundje të zemrës apo ata që vuajnë nga sëmundje onkologjike. Për këta grupe, vaksina kundër gripit është domosdoshmëri.

“Vaksinimi nuk i shpëton plotësisht nga gripi, por e bën sëmundjen shumë më të lehtë dhe parandalon format e rënda,” thekson mjekja.

Në fund, ajo u kujton qytetarëve rëndësinë e kujdesit të përditshëm: konsumimi i ujit dhe çajrave të vakët, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbyllura me shumë njerëz, pushimi në
shtëpi dhe kufizimi i duhanit janë hapat kryesorë për ta kaluar më lehtë periudhën e virozave.

Gripi sezonal dhe ftohjet janë pjesë e jetës sonë, por kujdesi i duhur mund t’i mbajë ato nën kontroll. Siç thotë dr. Majlinda Gjocaj, mjekësia nuk qëndron te barnat, por te parandalimi, ndërgjegjësimi dhe kujdesi ndaj trupit. Kujdesi ndaj mushkërive është kujdes ndaj jetës.

Ligjëratën e plotë të dr. Majlinda Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë:

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME