Një bankë private e spermës në Aarhus të Danimarkës, e quajtur “Donor Network”, është bërë e para në botë që ka vendosur një kriter të ri dhe mjaft kontrovers për përzgjedhjen e donatorëve të saj, duke kërkuar zyrtarisht një nivel minimal inteligjence prej 85 pikësh në testin e IQ-së.
Ky vendim, i cili përjashton automatikisht rreth 16% deri në 18% të popullsisë së përgjithshme që bie nën fashën e konsideruar si inteligjencë normale, ka ndezur një debat të ashpër ndërkombëtar mbi etikën, të drejtat e biznesit dhe kufijtë e “dizajnimit” të fëmijëve të ardhshëm. Përveç kontrolleve të rrepta shëndetësore për sëmundje gjenetike e infektive dhe verifikimit të dëshmisë së penalitetit për të garantuar pastërtinë kriminale, kompania ka vendosur që rezultatet e këtyre testeve të inteligjencës të mos mbahen të fshehura. Ato afishohen hapur në profilet online të donatorëve, krahas karakteristikave fizike dhe historikut mjekësor, në mënyrë që prindërit e ardhshëm të kenë mundësi t’i shqyrtojnë përpara se të bëjnë përzgjedhjen e tyre finale.
Për të shmangur barrierat gjuhësore ose kulturore që mund të ndikonin në rezultat, banka daneze aplikon një test të standardizuar të njohur si “Cattell Culture Fair” (CFT 20-R), i cili bazohet në simbole dhe mat kryesisht inteligjencën fluide, përkatësisht mendimin abstrakt dhe logjikën e pastër. Drejtuesit e kompanisë e kanë mbrojtur këtë strategji duke argumentuar se thjesht po u përgjigjen kërkesave të tregut dhe po u ofrojnë klientëve transparencë maksimale, duke u nisur edhe nga studimet që sugjerojnë se trashëgimia gjenetike luan një rol të rëndësishëm në inteligjencën e fëmijës.
Megjithatë, ky hap ka hasur në reagime të shumta negative nga komuniteti shkencor dhe gjenetistët, të cilët theksojnë se inteligjenca nuk është një dhuratë e pastër gjenetike, por formësohet në mënyrë të fuqishme nga mjedisi, edukimi, ushqyerja dhe rrethanat sociale gjatë rritjes së fëmijës, ndaj diskriminimi i kandidatëve bazuar mbi një numër të vetëm është i pasaktë dhe i rrezikshëm.
Ky zhvillim ka marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të peshës që Danimarka ka në këtë industri, duke qenë eksportuesi më i madh në botë i spermës njerëzore, ku rreth 90% e donacioneve shkojnë për klinikat jashtë vendit, veçanërisht në Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Europian.
Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore dhe mediat ndërkombëtare kanë parë të rëndësishme të sqarojnë se ky nuk është një standard kombëtar apo ligj shtetëror i Danimarkës. Shteti danez kërkon vetëm screening mjekësor dhe asnjë rregullore zyrtare nuk e detyron testimin e IQ-së. Gjithashtu, bankat e tjera të mëdha e të njohura në vend, përfshirë gjigantin botëror “Cryos International”, nuk e zbatojnë një kriter të tillë dhe janë distancuar nga kjo praktikë.
Pavarësisht kësaj, rasti ka hapur një dilemë të thellë etike në mbarë Europën, ku kritikët dhe ekspertët e bioetikës paralajmërojnë se nisma të tilla ushqejnë një formë të eugjenikës moderne, duke krijuar stigmë shoqërore dhe duke promovuar idenë e rrezikshme të përzgjedhjes së qenieve njerëzore mbi baza të tipareve sipërfaqësore apo të perceptuara si superiore./Korrespodenti
