Si tentoi Behgjet Pacolli të angazhonte një kompani serbe në Aeroportin e Vlorës

Fakte të reja mbi ndërprerjen e kontratës së kompanisë Mabco Constructions, në pronësi të Behgjet Pacollit, e lidhin atë me një kompani serbe me bazë në Beograd. Mabco ka tentuar ta angazhojë këtë kompani si nënkontraktore në punimet e Aeroportit të Vlorës, pavarësisht historikut të saj të dyshimtë.

Ish-presidenti dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka tentuar që përmes kompanisë së tij Mabco Constructions të përfshijë një kompani serbe në Aeroportin e Vlorës.

Paparaci ka siguruar dëshmi sesi Mabco Constructions, të cilës para rreth dy javësh iu ndërpre kontrata për punimet në Aeroportin e Vlorës, është përpjekur të angazhojë kompaninë serbe Aviator Group DOO për punime në projektin strategjik për shtetin shqiptar.

Kompania me bazë në Beograd, e themeluar në vitin 2021, është nënkontraktuar nga Mabco Constructions për ndriçimin e pistës së Aeroportit të Vlorës, sipas dokumenteve zyrtare, raporton Paparaci.

Burimet i kanë thënë Paparacit se pikërisht përfshirja e kësaj kompanie në projektin e Aeroportit të Vlorës ka qenë një nga faktorët kryesorë të prishjes së marrëveshjes kontraktuale mes koncensionarit të aeroportit, Vlora International Airport (VIA) dhe Mabco-s së Pacollit.

Mashtrimi me dokumente

Paparaci ka siguruar dokumente ekskluzive për historikun e dyshimtë të kompanisë Aviator Group dhe tentimin për përfshirjen e saj në projektin e aeroportit duke paraqitur dokumente të dyshuara si të falsifikuara për të mashtruar kinse kjo kompani kishte përvojë në punimet nëpër aeroporte.

Në prillin e këtij viti, në rolin e kontraktorit kryesor për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, Mabco Constructions paraqiti pranë koncensionarit VIA Sh.P.K. dokumentacionin e plotë për kompaninë Aviator Group si nënkontraktore.

Në një komunikim të realizuar mes përfaqësuesve të Mabco Construction dhe koncensionarit, kompania e Pacollit dërgoi dokumentacionin e plotë për punimet e ndriçimit të pistës (Airfield Ground Lighting – AGL).

Në këtë komunikim, të cilin e ka parë Paparaci, Mabco zotohej se “instalatori Aviator Group ka realizuar instalime” në Aeroportin e Dubait dhe në “shumë aeroporte ndërkombëtare”.

“Pjesa tjetër e dokumentacionit të kërkuar në shkresën tuaj, përfshirë dokumentacionin e kompanisë instaluese dhe stafit teknik, ju bëjmë me dije se kompania Aviator posedon të gjithë dokumentacionin e kërkuar, instalatori Aviator Group ka realizuar instalime CAT II dhe CAT III, në aeroportin e Dubait dhe shumë aeroporte ndërkombëtare, andaj do t’ju sjellim referencat dhe certifikatat e kërkuara”, thuhej në email.

Në referencat e punimeve të kryera nga kompania Aviator Group, sipas aplikacionit të dorëzuar nga Mabco Constructions, janë paraqitur një listë gjoja e punëve të realizuara nga kompania nga viti 2012 deri në vitin 2025.

Por, referencat e paraqitura nga Mabco për kompaninë serbe rezultojnë të falsifikuara.

Bazuar në të dhënat zyrtare në uebsajtin e Aviator Group DOO, kompania thuhet se operon në fushat e elektroenergjetikës dhe teknologjisë së aviacionit dhe rezulton se është themeluar në Beograd në vitin 2021, rreth dhjetë vjet pas periudhës së prezantimit të referencave të punimeve.

“E re dhe ambicioze – kompania AVIATOR GROUP D.O.O. është themeluar në vitin 2021 në Beograd, falë kapitalit privat 100% me origjinë vendase. Fushat kryesore të veprimtarisë janë elektroenergjetika dhe teknika e aviacionit”, thuhet në uebsajtin e kompanisë.

Në proces falimentimi

Paparaci ka siguruar dëshmi të tjera për historikun e dyshimtë ligjor të kompanisë të cilën Mabco e Pacollit tentoi ta angazhonte në punimet e Aeroportit të Vlorës.

Dokumentet tregojnë sesi kompania, e paraqitur si e suksesshme në fushën e teknikës së aviacionit, në fakt i është nënshtruar një procesi të falimentimit në Serbi në vitin 2023.

Me vendim të Gjykatës Ekonomike në Sremska Mitrovicë, më datë 7 tetor, kompanisë Aviator Group DOO i ishte pranuar kërkesa për nisjen e falimentimit ndaj kompanisë.


Gjykata kishte konstatuar se procedura e falimentimit pranohet sepse kompania ka “paaftësi të vazhdueshme për pagesë”, sipas dokumentit.

Mabco Constructions u përjashtua nga projekti i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës më 14 maj të këtij viti.

Arsye për përjashtimin u bënë vonesat e shkaktuara në punimet në terminal dhe disa pjesë të tjera të aeroportit, sipas vendimit për shkëputje të kontratës, të nxjerrë nga koncensionari VIA Sh.P.K.

Sipas vendimit, punimet për të cilat Mabco ishte zotuar me kontratë t’i realizonte deri në shkurt të vitit të kaluar, nuk kanë përfunduar ende.

Kjo është arsyeja pse mëngjesi i së hënës së kaluar, 18 maj, nisi me tensione në derën hyrëse të kantierit në Aeroportin e Vlorës.

Punonjës të aeroportit, shoqërisë që mori me koncension nga shteti ndërtimin dhe menaxhimin e tij, bllokuan hyrjen në kantier të rreth 200 punonjësve të Mabco Constructions dhe nënkontraktorëve të tij.

Zyrtarë të kompanisë Mabco Constructions thanë për mediat se nuk kishin marrë njoftim për bllokimin e hyrjes së punëtorëve, edhe pse njoftimi për ndërprerje të kontratës i ishte nisur atyre para katër ditësh.

Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit kosovar Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit.

Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve.

Para disa muajsh, Gjykata e Tiranës vendosi në favor të kompanisë 2A Group për përjashtimin e ortakut të koncensionit, Mabco Constructions, nga e drejta e votës në bordin e ndërmarrjes.

Ndalimi nga Gjykata i votës së MABCO Construction në VIA Sh.p.k ka derivuar si pasojë e dyshimit të bazuar se ekzistonte rrezik real që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë.

Pacolli dhe njerëzit e tij ia dyshohet se ia shiten aksionet e Aeroportit të Vlorës kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër, 2A Group-in e Valon Ademit që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. /Paparaci.com

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME