Tërmet në tregun e kriptove: 6.3 miliardë dollarë të vjedhura në Binance nga një sulm kibernetik rekord!

Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, ka rënë viktimë e një sulmi kibernetik, gjatë të cilit janë vjedhur rreth 6,3 miliardë dollarë – vjedhja më e madhe në historinë e kriptomonedhave. Rreth 3 miliardë dollarë janë bllokuar dhe Binance është zotuar se do të mbulojë të gjitha humbjet.

Binance deklaroi se sulmi u krye përmes një laptopi të komprometuar që i përkiste një inxhinieri DevOps, gjë që i dha sulmuesit qasje në një “kontejner shërbimi” (service container) dhe mundësoi kryerjen e tërheqjeve të paautorizuara, raporton AFP. Kompania thekson se nuk ka asnjë provë që çelësat privatë të portofoleve të jenë ekspozuar.

Sipas të dhënave nga TRM Labs, të cituara nga Reuters, në shënjestër u vunë portofole në 10 zinxhirë bllokësh (blockchain) të ndryshëm, ku pjesa më e madhe e fondeve u transferuan brenda rreth 20 minutash.

Në bashkëpunim me partnerët, Binance ka bllokuar rreth 3 miliardë dollarë; CEO i Tether, Paolo Ardoino, deklaroi se kompania e tij ka bllokuar rreth 1,6 miliardë dollarë.

Dyshimet bien mbi hakerët e Koresë së Veriut

TRM Labs e lidh sulmin me një grup hakerësh të mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut, ndërsa Chainalysis i tha CNN-it se janë shumë të sigurt se ky grup qëndron pas incidentit.

Nuk ka ende një konfirmim zyrtar.

Më parë, sulmi më i madh në fushën e kriptomonedhave ishte vjedhja e 1,5 miliardë dollarëve nga platforma Bybit në shkurt të vitit 2025 – një incident që gjithashtu i atribuohet hakerëve nga Koreja e Veriut.

Tërheqjet janë pezulluar

Binance ka pezulluar përkohësisht të gjitha depozitat dhe tërheqjet. Sipas Reuters, platforma pret t’i rifillojë tërheqjet brenda 48 orëve të ardhshme. Themeluesi dhe aksionari më i madh, Changpeng Zhao, deklaroi në rrjetin social X se duket se bëhet fjalë për një sulm kibernetik dhe se pret që përdoruesit të dëmshpërblehen plotësisht. Binance njoftoi gjithashtu se do të ofrohet një analizë e detajuar teknike sapo të përfundojë hetimi.

Pas këtij lajmi, vlera e Bitcoin ra përkohësisht nën 80,000 dollarë, raporton CNBC.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME