Astronomët e tronditur: Një vijë gjigante 20,000 vjet dritë tregon se diçka e paimagjinueshme kaloi nëpër galaktikë

Astronomët kanë zbuluar një fenomen të pazakontë në hapësirë që mund të ndryshojë mënyrën si kuptojmë ndërveprimet midis galaktikave dhe vrimave të zeza.

Duke përdorur të dhëna nga teleskopi hapësinor James Webb (JWST) dhe observatori ALMA në Kili, studiues nga Universiteti i Nanjingut në Kinë kanë vërejtur një “kontrail galaktik” – një vijë gjigante me gaz dhe pluhur kozmik, që shtrihet për rreth 20,000 vjet drite, ndërsa gjerësia e saj nuk kalon 650 vjet drite. Kjo strukturë ndodhet në galaktikën spirale NGC 3627, rreth 31 milionë vjet dritë larg Tokës, në yjësinë e Luanit.

Sipas autorëve të studimit, Mengke Zhao dhe Guang-Xing Li, ky “kontrail” është gjurma e mundshme e një objekti shumë masiv – ndoshta një vrime të zezë gjigante ose bërthama e një galaktike xhepi – që ka kaluar nëpër diskun e galaktikës me shpejtësi të jashtëzakonshme prej 300 kilometrash në sekondë, duke kompresuar dhe zhvendosur gazin e yjeve.


Ky fenomen u zbulua rastësisht gjatë projektit shkencor PHANGS, që përdor disa nga teleskopët më të avancuar për të studiuar mënyrën si formohen yjet dhe si struktura e galaktikave ndikon në këtë proces.

Të dhënat e JWST treguan se struktura përmban pluhur, ndërsa observimet e ALMA zbuluan sasi të mëdha të monoksidit të karbonit – një tregues klasik i pranisë së gazit të ftohtë ndërstelar. “Ajo që e bën këtë zbulim të veçantë është qartësia dhe madhësia e kontrailit,” shpjegon Zhao.

Sipas modeleve teorike të Li, një objekt masiv që kalon me shpejtësi përmes një disku galaktik mund të shtyjë gazin, duke lënë pas një gjurmë të gjatë dhe të ngushtë, të ngjashme me vijat që lënë avionët në atmosferën e Tokës.

Analizat e deritanishme tregojnë se ky kalim mund të ketë ndodhur rreth 20 milionë vjet më parë, një periudhë e shkurtër në përmasa kozmike, duke e bërë fenomenin relativisht të ri. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk ka ende prova të qarta për të përcaktuar nëse objekti që ka shkaktuar këtë gjurmë është me të vërtetë një vrimë e zezë apo një galaktikë xhepi e vogël, por shumë e dendur.

Për shkak të largësisë së madhe dhe ndriçimit të dobët, zbulimi i vetë objektit është i vështirë, dhe kërkimet e ardhshme me teleskopë më të fuqishëm mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të misterit. Për momentin, kontraili i NGC 3627 mbetet struktura më e qartë e këtij lloji e zbuluar ndonjëherë jashtë Rrugës së Qumështit, duke ofruar një dritare të re mbi mënyrën si objektet masive dhe të padukshme ndikojnë në evolucionin e galaktikave.

Studimi është publikuar si preprint në platformën shkencore arXiv dhe pret rishikim nga komuniteti shkencor ndërkombëtar, por tashmë po tërheq vëmendjen e astronomëve në mbarë botën për potencialin e tij për të shpjeguar lëvizjet e fshehta të vrimave të zeza në univers./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME