Danimarka dhe Norvegjia kaluan një mbrëmje kaosi pasi disa dronë nisën të fluturonin mbi aeroportet e tyre, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve dhe mbylljen e aeroporteve. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se aeroporti Kastrup, më i madhi i Danimarkës, u mbyll rreth orës 8:30 të mbrëmjes, pas zbulimit të disa dronëve të dyshimtë që fluturonin mbi aeroport për t’u rihapur rreth orës 1 të mëngjesit.
Disa fluturime që ishin planifikuar të uleshin në kryeqytetin danez u devijuan në aeroporte të tjera në të gjithë vendin, ndërsa brenda u formuan radhë të gjata pasagjerësh të bllokuar. Teksa orët kalonin, rreth shtatëdhjetë fluturime u devijuan, duke përfshirë ato për në Malmö, Suedi dhe Göteborg, ndërsa 50 fluturime u anuluan.
Edhe aeroporti i Oslos u mbyll për afërsisht tre orë, duke filluar afërsisht në orën 12:30 të mëngjesit. “Hapësira ajrore mbi Aeroportin e Oslos është rihapur. U kërkojmë pasagjerëve të paraqiten në fluturimet e tyre si zakonisht. Aeroporti ishte mbyllur afërsisht tre orë më parë për shkak të pranisë së të paktën dy dronëve. Vendimi u mor për arsye sigurie”, shkroi Monica Fasting, drejtuese e komunikimit në Aeroportin e Oslos, në një email drejtuar agjencisë norvegjeze të lajmeve NTB. Sipas medias norvegjeze mbyllja e aeroportit preku 12 fluturime.
Për dronët mbi hapësirat ajrore skandinave ka reaguar edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Në një postim në X ai tha se kishte diskutuar ” shkeljet e hapësirës ajrore të shteteve anëtare të NATO-s nga Rusia, përfshirë më 22 shtator në Kopenhagen” me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
“Shkëmbyem mendime mbi arsyet,” shkroi ajo. Nëse nuk ka një përgjigje vendimtare nga aleatët – si shtetet ashtu edhe institucionet – ndaj provokimeve, Rusia do të vazhdojë të kryejë shkelje të tilla.
Gjatë konferencës për shtyp në Kopenhagen, policia as nuk konfirmoi dhe as nuk e mohoi që dronët janë rusë, duke raportuar thjesht se janë në veprim.“Dronët në Aeroportin e Kopenhagës nuk u qëlluan nga autoritetet, por u zhdukën nga zona vetë, dhe ne nuk e dimë se ku shkuan”, tha zëvendës Inspektori i Policisë Jakob Hansen gjatë një konference për shtyp.
“Po përpiqemi të zbulojmë çfarë lloj dronësh ishin pranë aeroportit dhe nga vinin. Do të zbatohen masa të ndryshme,” shtoi ai, pa specifikuar se cilat masa.
Policia ka nisur një hetim të plotë, në bashkëpunim me PET dhe Forcat e Armatosura Daneze. Policia daneze po bashkëpunon me autoritetet norvegjeze për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje midis dronëve të vërejtur mbi Aeroportin e Kopenhagenit dhe atij të raportuar mbi Oslo, duke detyruar mbylljen e hapësirës ajrore të qytetit.