Një incident serioz ka ndodhur gjatë fluturimit të një aeroplani të Condor Airlines, model Boeing 757-300, i cili po udhëtonte nga ishulli grek i Korfuzit drejt Dyzeldorfit.
Menjëherë pas ngritjes, aeroplani me 263 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi u përfshi nga flakët në motor, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të pilotëve, u vendos kryerja e një uljeje emergjente në aeroportin e Brindisit në Itali, ku aeroplani u ul në mënyrë të sigurt pa pasoja për udhëtarët dhe ekuipazhin.
Linia ajrore njoftoi se zjarri u shkaktua nga një ndërprerje në rrjedhën e ajrit të motorit gjatë fluturimit.
Për shkak të këtij incidenti, shumë pasagjerë u detyruan të kalojnë natën në aeroportin e Brindisit, pasi mungonte akomodimi i menjëhershëm në hotele.