Jo vetëm gjenet e mira, por edhe mungesa e përkeqësimit gjenetik. Ky është sekreti që i ka mundësuar Jonathanit, një breshkë gjigante që jeton në ishullin Shën Helena dhe që njihet si kafsha tokësore më jetëgjatë në botë, të arrijë moshën 194 vjeçe.
Ky është edhe përfundimi i një studimi të kryer nga organizata jofitimprurëse amerikane ”Kallel”, e specializuar në studimet mbi jetëgjatësinë, dhe i publikuar në revistën ”Science Advances”.Përmes analizës gjenetike të një kampioni pështyme, studiuesit identifikuan 287 variante gjenetike unike te kjo breshkë gjigante me jetëgjatësi të jashtëzakonshme.
“Këto gjene kontrollojnë procese themelore të organizmit, përfshirë riparimin e dëmtimeve të ADN-së, reduktimin e inflamacionit, rregullimin e insulinës dhe frenimin e tumoreve”, thekson Stephen Clark, themelues i ”Kallel” dhe autor i studimit.
Studiuesit krahasuan gjithashtu epigjenomën, tërësinë e faktorëve që lidhen me ADN-në pa ndryshuar sekuencën e saj, të breshkës me atë të katër ekzemplarëve të tjerë të së njëjtës specie dhe zbuluan se ajo ishte shumë e ngjashme me epigjenomën e kafshëve më të reja.
“Në praktikë, rregullatorët gjenetikë të përfshirë në prodhimin e energjisë dhe riparimin e ADN-së kanë mbetur jashtëzakonisht të qëndrueshëm te Jonathani gjatë afro dy shekujve, ndërsa normalisht ndryshojnë me kalimin e kohës, duke kontribuar në procesin e plakjes.
Prandaj, transkriptimi i tyre me besnikëri të lartë ka rezultuar thelbësor për jetëgjatësinë”, shton Justin Gerlach nga Peterhouse College i Universitetit të Kembrixhit, i cili mori pjesë në studim.Meqenëse plakja qelizore përbën faktorin kryesor të rrezikut për pothuajse të gjitha sëmundjet kronike, objektivi i ardhshëm i studiuesve është shfrytëzimi i të dhënave të mbledhura për zhvillimin e terapive të ardhshme.
