Të mërkurën, kongresistja Anna Paulina Luna (R-Fla.) ishte e ftuar në podcast-in e Joe Roganit për të kërkuar që qeveria të jetë më transparente për alienët.
Republikania nga Florida, e cila drejton Grupin e Punës për Deklasifikimin e Sekreteve Federale, një nënkomitet i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, tha se perceptimi ynë i zakonshëm për alienët jeshil me sy të mëdhenj është krejtësisht i gabuar.
Luna shpjegoi se, edhe pse “kjo mund të duket çmenduri,” ajo ka parë prova të teknologjive të krijuara nga “gjëra energjie” ose “qenie ndërdimensionale” që sfidojnë kuptimin aktual të njerëzimit për fizikën.
Ajo e krahasoi teknologjinë që këto “qenie ndërdimensionale” mund të krijojnë me një person modern që “hedh një telefon … në kohën e njerëzve të shpellave.”
Luna shtoi se këto “qenie ndërdimensionale” mund të lëvizin “përtej kohës dhe hapësirës,” dhe tha se ka “libra në Bibël që janë hequr dhe që shpjegojnë dhe prekin këto tema.”
“A kam parë një portal të hapet? Jo. A kam parë personalisht një anije kozmike? Jo. A kam parë prova për këtë? Po” tha Luna. “A kam parë dokumentacione fotografike të avionëve që besoj se nuk janë krijuar nga njerëzit? Po.”
Luna tha se grupi i saj i punës u krijua pasi ajo, kongresisti Tim Burchett (R-Tenn.) dhe ish-republikani i Floridës Matt Gaetz, që u akuzua për marrëdhënie seksuale me të mitur, hetuan një incident në bazën ajrore Eglin. Luna tha se shumë pilotë atje raportuan se panë UAP, ose fenomene ajrore të pazbuluara, dhe pretendoi se ushtria “po e fshihte këtë.”
Ajo tregoi një incident tjetër në bazën Vandenberg Space Force, ku shumë persona, përfshirë një pilot, panë një kub të kuq në qiell që ishte më i madh se një fushë futbolli.
Po ashtu, Luna ndau një përvojë personale me një UAP gjatë shërbimit të saj në Forcat Ajrore, kur ishte e stacionuar në bazën Portland Air National Guard në Oregon si specialiste e menaxhimit të fushës ajrore.
“Ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore kur unë isha ende në Gardë, dhe më kujtohet që bisedova me disa pilotë për këtë dhe pyeta, ‘Çfarë ishte kjo?'” tha ajo.
Luna tha se kur kërkoi shpjegime nga kolegët e saj për incidentin, ata vepronin sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
“Ata thanë, ‘Nuk mund të flasim për këtë.’ Askush nuk donte ta trajtonte si temë,” tha Luna, duke shtuar se mendon se ata kishin frikë se “do të hiqeshin nga statusi i fluturimit.”
Luna tha se njerëzit i kanë thënë se do t’i dëmtojë karrierën politike duke folur për këto fenomene të pretenduara, por ajo ndien se duhet ta bëjë.
“Transparenca është ajo që krijon besimin,” tha Luna për fshehjen e sekreteve për alienët nga qeveria. “Qeveri të tjera kanë zbuluar disa informacione për këtë. Të mendosh se ne jemi forma e vetme e jetës në këtë planet, në këtë galaktikë, është paksa çmenduri.” / Huffpost