Arrestohen 13 persona për bixhoz të paligjshëm në Isniq të Deçanit – sekuestrohen para, armë dhe mjete të rrezikshme

Trembëdhjetë persona janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës në një aksion të ndërmarrë në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në një njoftim për media, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, nën udhëheqjen e kryeprokurores Lumturije Vuçetaj.

“Gjatë bastisjes janë arrestuar trembëdhjetë persona në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar rreth 17 mijë euro para të gatshme, një armë zjarri, shufra metalike, thika si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprën penale të hetuar“, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, prokurori i shtetit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afateve ligjore.

“Do të parashtrojmë kërkesë për caktimin e masave për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës“, konfirmon Prokuroria.

Hetimet ndaj të dyshuarve pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, ndërsa materialet e sekuestruara do të përdoren si prova në këtë rast penal.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME