Papa Leoni XIV, i zgjedhur më 8 maj si pasardhësi i Françeskut, ka mbushur 100 ditët e para në fronin papnor me një profil që ndërthur përkushtimin ndaj traditës me një natyrë njerëzore dhe energjike.
I njohur për origjinën e tij amerikane dhe për qasjen më të tërhequr në media, ai ende nuk ka dhënë asnjë intervistë, por ndikimi i tij brenda mureve të Vatikanit po ndjehet gjithnjë e më shumë.
Sipas burimeve nga brenda Selisë së Shenjtë, gjatë qëndrimit në rezidencën verore në Castel Gandolfo, Papa Leoni ka zhvilluar disa ndeshje tenisi me sekretarin e tij personal, peruanin Edgard Ivan Rimaycuna Inga, 36 vjeç.
Burimi i Bild thotë se Papa ndërron rrobën e bardhë me veshje sportive dhe zbret në fushë me dëshirë të madhe për të luajtur, edhe pse diferenca në moshë është e ndjeshme. Ish-partnerët e lojës e përshkruajnë goditjen e tij si “të fortë dhe precize”.
Në një takim me tenistin e famshëm Jannik Sinner, Leoni tregoi zgjuarsi dhe humor, duke refuzuar një shkëmbim spontan goditjesh në Vatikan me fjalët: “Më mirë jo këtu, mund të prishim diçka.” Ende nuk dihet nëse një seancë stërvitore private mes tyre do të ndodhë në të ardhmen.
Traditë, jo thjesht simbolikë
Ndryshe nga Papa Françesku, Leoni XIV ka vendosur të banojë në apartamentin papnor mbi Sheshin e Shën Pjetrit, duke rikthyer një simbolikë tradicionale që u shmang nga paraardhësi i tij për arsye modeste dhe sigurie. Edhe zgjedhja e veshjeve dhe stili liturgjik i Papës së ri reflekton përkushtimin ndaj riteve klasike të Kishës Katolike.
Meshat, lutjet dhe ceremonitë e drejtuara prej tij janë rikthyer në një formë më të ngrohtë dhe shpirtërore, duke e përfshirë personalisht me këndim dhe përkushtim, veçanërisht gjatë lutjes së “Regina Caeli” dhe “Ati Ynë” në latinisht.
Ndryshime në administratë
Papa Leoni ka ndërmarrë hapa konkrete për të përmirësuar atmosferën në Vatikan. Ai ka rikthyer mini-bonuset për punonjësit dhe ka futur leje speciale për baballarët e rinj, një masë që i mungonte më parë. Gjithashtu, është në përgatitje një plan i ri i personelit, për të cilin pritet të ketë ndikim të gjerë.
Mesazhe të thella dhe qëndrime të kujdesshme
Në Ditën Botërore të Rinisë, me mbi një milion pjesëmarrës, Leoni impresionoi jo me fjalime të shumta, por me thellësinë e mesazheve të tij. “Plotësia e jetës nuk varet nga ajo që grumbullojmë, por nga ajo që ndajmë me gëzim,” u tha ai të rinjve nga e gjithë bota.
Ndërkohë, qëndrimi i tij për çështjet globale ende është i përmbajtur. Pavarësisht se ka deklaruar se “kurrë më luftë” është shqetësimi i tij më i madh, veprimi konkret mungon. Sidoqoftë, burime nga mediat italiane raportojnë se Papa Leoni planifikon të udhëtojë në Kiev, në një përpjekje të mundshme për të dhënë sinjale më të forta paqeje.