Zvezda i falënderoi polakët për banerin “Kosova është Serbi” – e në Beograd i rrahën

Klubi polak i futbollit Lech Poznan është gjobitur me 10 mijë euro të mërkurën nga UEFA për sjellje jo të duhura gjatë ndeshjes kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Cërvena Zvezdës në stadiumin e Poznanit, kur tifozët polakë shfaqën banerin e madh me shkrimin “Kosova është Serbi”.

Për këtë gjest, polakët u falënderuan nga skuadra serbe Cërvena Zvezda, e cila, në profilin e saj zyrtar në “X” publikoi një foto të banerit dhe shkroi “Faleminderit” në gjuhën polake (“Dziękujemy”).

Por, duket se falënderimi ishte “sa për sy e faqe”. Kjo për faktin se të martën është zhvilluar ndeshja e kthimit mes dy ekipeve në Beograd, dhe tifozët huliganë “Delije” të Cërvena Zvezdës sulmuan me çka kishin “homologët” e tyre polakë.

Siç raportohet, dhe sipas pamjeve të publikuara, shihet një numër i madh i serbëve, rreth 200, që “pushtojnë” një autostradë për të sulmuar tifozët e Lech Poznan me shkopinj, të cilët ishin nisur për t’u kthyer në shtëpi pas përfundimit të ndeshjes.

Gjithnjë sipas raportimeve, pretendohet se ky reagim i tifozëve serbë ndaj atyre polakë erdhi pasi këta të fundit kishin demoluar një qendër tregtare paraprakisht, në Beograd.

Ndeshja e dytë përfundoi 1-1, por që skuadra serbe kaloi në raundin tjetër të play-offit të Ligës së Kampionëve.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME