Shkruan: Atdhe Gjoci
A pëson metamorfozë njëri gjen nga tjetri kur derivojnë të dy po nga i njëjti zinxhir ADN-je?
Sot, më shumë se kurrë jam gjendur para dilemës së madhe, gjeni apo edukimi dhe sjellja sociale?
Tani po dëshmohen të dyja. Gjeni s’qenka matematikë që mund ta ndryshosh me të dhëna të ndryshme dhe të nxjerrësh rezultate të ndryshme, por edhe sikur të jetë, qenka më shumë të panjohura, por që rezultatin e jep si nga vjen. Nuk po u kurdiska.
Ndërsa sjellja është më e saktë, më faktike dhe më premtuese, është kopje, imitim, lakmi dhe e dukshme. Kur bëhen bashkë gjeni dhe imitimi, rezultati është i frikshëm si për mirë apo për keq.
Në rastin tonë të dyja këto kanë prodhuar një shëmti dhe qyqarllak të llojit të vet.
Sot jam ndjerë më shumë se kurrë i terrorizuar nga lajmet për plaçkitje, vrasje, pusi në të cilën vritet një grua, një nënë. Shkëmbim zjarri mes policisë dhe bandave të cilat po bëhen dita ditës shumë të frikshme.
Ato edhe kur vendi gjendet para një krize sigurie përkujdesen t’i japin edhe një dorë destabilizimi.
Jemi mësuar të shohim banda më emër dhe mbiemër në Shqipëri, të cilat nga viti 1997 e deri sot, kanë kaluar për ditë e nga pak nga rruga në pushtet.
Sot, ato kanë zinxhir komandues dhe janë infiltruar e sistemuar në organet e rendit. Ato vrasin madje nuk lënë as trup për të varrosur, vdekje pa mort, pa funeral dhe mohim prehjeje në dhe. Ato kanë nxjerrë gjak edhe në gra, fëmijë dhe pleq.
Ato tashmë e kanë kapur rrugën, detin dhe pushtetin. Dikur dëgjoja njerëz duke konkluduar se “ne shqiptarët e Kosovës jemi më të mirë se ata të Shqipërisë”.
Por sot trauma më zgjoi mbresat. Mbresa të marra mbi supet e babait para autoblindave serbe, ditën kur u falen shumë gjaqe tek verrat e Llukes, isha fëmijë dhe e mbaj mend si sot Zekrija Canën që i printe popullit dhe ja nxjerrte gjoksin autoblindës së policisë. Mbaj mend edhe pëshpërimën e popullit: Shihe, aty qenka Anton Qeta, dhe tash kur e mendoj se kush paska qenë Anton Qeta, vetëm një sinonim mund t’ia japë, atë të jorganit titanik, i cili e mbuloi turpin dhe makabritetin tonë ndër vëllazëror.
Bandat tona janë bërë satanike, edhe pse namazi nuk ua lejon, po as syneti, as libri shenjt që betohen në të, ata kanë filluar të mbajnë mjekra, të shtiren si të butë dhe njerëz të Zotit, ata duan në njërën dorë të mbajnë trofeun e plaçkës, vrasjes, dhunimit, pusisë dhe në tjetrën librin e shenjt, ju duhet që të betohen në të ditën e gjykimit.
Populli thotë ‘rrushi rrushin e sheh dhe piqet’, por s’është e thënë, dikush duhet të piqet i pari, pastaj shtohen kokrrat tjera të pjekura, kur ju kalon vakti ato edhe kalben e bëhen pleh, por inkarnimi e thotë të kundërtën, ato mbijnë përsëri.
Bandave tona sot ju mungon vetëm shpata mbi setër. Për dallim nga Shqipëria, ju mungon vetëm edhe kapja e organeve të rendit. Në Shqipëri, në kry të bandave janë vet ata që janë të thirrur për t’i luftuar ato, ndërsa tek ne, hë për hë ende nuk e kemi arritur aty, por të nesërmes, kurrë si dihet.
Kostandini u ngrit nga varri për t’i mbajtur besën e dhënë Dotuntinës, Gjergji Elez Alia me nëntë plagë u ngrit nga shtrati për të mbrojtur nderin e së motrës. Edhe arshiket shumë i kanë kënduar bukurisë dhe brishtësisë së femrës. Ajo qau kur ti qaje, pa e kuptuar se është preja e atij që po ushqen dhe rrit. A mos vallë kur u rikthye në varr Konstandini na mori burrërinë dhe na varrosi pa mort?
Një nënë e jotja është edhe e imja, e imja është dhe e jotja. Apo e imja është Pandora që hapi kutin e të këqijave të kësaj bote dhe si e tillë duhet të vritet?
Femër është dhe e imja, është e ndjeshme, ajo s’duhet të vritet, Kanuni e ndalon, e ndalon Bibla dhe Kurani madje rreptësishtë. Ne sot po vrasim ngjizjen, gjirin, djepin dhe sofrën që na ushqeu. Bashkë më të po vrasim edhe ninullat, këngët e djepit, po vrasim edhe moralin, sigurinë dhe shpresën. Ne po i lutemi një gruaje për të shfryrë epshet tona, pastaj ajo edhe po na ushqen, dhe ne ende pa na u tretur ushqimi i gatuar nga duart e saj, po e vrasim. Çfarë trimërie e pa skajshme dhe e pa shoqe. Soji kafshërorë që vetëm shqiptarët e Shqipërisë dhe ne dimë ta bëjmë në përmasa te tilla.
Akte të tilla kurrë se kanë burrërua dhe trimërua një mashkull, as atë burrin me mustaqe që mbante setër mbi supe dhe kamish të gjatë, që gërvishte sokakun më kullën karakteristike si i forti i vetshpalluri i mahalles, dhe as atë me mjekër.
Nuk i bën trima as ata burra pa mjekër, ndonëse ata s’kanë edhe takat të vrasin, s’kanë zemër, janë frikacakë, janë të butë dhe duken femëror. Por di edhe një gjë tjetër se edhe Churchill s’kishte mjekër për dallim nga Gandhi që mbante mustaqe të shkurtra dhe si kishte as burrërore.
Por nuk mbaron më kaq, sot femra rrah një tjetër femër, ajo ka liri, guxim dhe forcë për ta rrahur një nënë të dikujt tjetër, një gjyshe e cila paguan për t’i dhënë ndihmë. Atë trimen nuk ka tagër ta liroi nga aktakuza një gjyqtar po jo edhe një gjyqtare. Mos të harrojmë së edhe një i dënuar me varje në litarë kërkoni një fjalë të fundit për t’i thënë së ëmës, dhe sapo ju afrua e ëma ai i kafshoi gjuhën dhe i tha “Ti me solle këtu”.