Gjinekologu Curr Gjocaj, në një paraqitje për platformën “Inteligjenca n’3D”, foli për konceptin e shëndetit riprodhues – një temë që prek çdo njeri në një moment të jetës. Ai e përshkroi si një gjendje të mirëqenies që përfshin trupin, mendjen dhe jetën familjare, duke e ndërlidhur me planifikimin dhe vazhdimësinë e jetës.
Duke sqaruar konceptin bazë, Dr. Gjocaj tha se shëndeti riprodhues nuk ka të bëjë vetëm me lindjen e fëmijëve, por me gjithë ciklin jetësor të njeriut – nga dëshira për pasardhës, te vendimmarrja për kohën dhe numrin e fëmijëve, e deri te mirëqenia emocionale dhe sociale që e shoqëron këtë proces.
“Çka nënkuptojmë me shëndetin riprodhues është një gjendje ku mirëqenia fizike, emocionale, mendore dhe sociale, që lidhet edhe me seksualitetin. Dhe, thënë ndryshe, edhe koncepti i planifikimit familjar që e ndërlidhë këtë element”, shpjegon Dr. Curr Gjocaj.
Ai thekson se qëllimi përfundimtar i këtij shëndeti është vazhdimësia e jetës – procesi natyral përmes të cilit njeriu lind, rritet dhe lë pasardhës. Në këtë kuptim, shëndeti riprodhues nuk është vetëm çështje mjekësore, por pjesë thelbësore e qenies njerëzore dhe zhvillimit të saj.
“Është qëllimi i vetë jetës që njeriu të lindë, të rritet, të zhvillohet, të punoj, të lë pasardhës… dhe në gjithë këtë cikël të jetës vjen një periudhë ku njerëzit futen në atë që e quajmë shëndetin riprodhues”, shpjegon ai.
Dr. Gjocaj ndalet edhe te çështja etike e përzgjedhjes së gjinisë, duke theksuar se në shumë vende – përfshirë edhe Kosovën – kjo praktikë është e ndaluar me ligj. Për të, planifikimi familjar duhet të mbështetet në dëshirën për jetë dhe jo në preferenca të ndaluara.
“Të mos keqkuptohemi – jo përzgjedhja e gjinisë… në aspektin natyror, megjithëse çështjen e përzgjedhjes së gjinisë shumë shtete, përfshi edhe vendin tonë, e kanë të ndaluar me ligj”, thekson ai.
Deklaratën e plotë të gjinekologut Curr Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë: