Vehbi Kajtazi thotë se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet ta distancojë Fatmir Limajn nga ambicia për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës duke e përdorur kartën e “Listës së Zezë të ShBA-ve”.
Gazetari Kajtazi tha të enjten se Kurti po thirret në argumentin se Limaj është në Listën e Zezë të ShBA-ve për të mos e propozuar atë për postin e kryeparlamentarit.
“Çështja qëndron në faktin që z. Limaj është në Listën e Zezë të Amerikës. Dhe, sipas këtyre tash, regjimi i Albin Kurtit po thirret në argumentin se ndërkombëtarët po janë kundër që z. Limaj të jetë kryetar kuvendi për shkak se është në Listën e Zezë të Amerikës dhe duhet dikush tjetër”, tha Kajtazi.
Po ashtu, Limaj nuk do të marrë post ekzekutiv për shkak të situatës në kuvend, sipas Kajtazit.“Unë jam i bindur që z. Limaj nuk merr post ekzekutiv për shkak të numrave sepse është i kurthuar dhe e humb një mandat në kuvend”, tha ai.
Por, sipas Kajtazit, Limaj ndodhet në Listën e Zezë të ShBA-ve për çështje të luftës dhe se kjo nuk përbën ndonjë problem më shumë sesa po argumenton LVV-ja.
“Në fund të fundit, z. Limaj ka qenë edhe ministër dhe ka qenë në Departament të Shtetit në Amerikë edhe me këtë hipotekë që e ka. Krejt këto janë lojëra që këta duan ta shtyjnë pafundësisht procesin dhe me pasë mundësi me i akuzu të tjerët duke e projektu fushatën e ardhshme, sepse këta në kokën e vet e kanë fushatën e ardhshme”, përfundoi Kajtazi.