Humbësit e thellë që s’po i zënë sarajet brenda

Shkruan: Atdhe Gjoci

Iluzioni është një perceptim i gabuar që ndodh kur shtrembërohet ndijimi. Megjithëse shumë prej iluzioneve janë pamore ato nuk kufizohen në mënyrë strikte. Vetëm te shqisat e të pamurit, studimi i iluzioneve i ndihmon psikologet të kuptojnë se si ne i perceptojmë perceptimet, psh. në filmat me përbindësha, “një përbindësh i vogël afër kamerës krijon perceptimin e gabuar të një përbindëshi real”. Dhe kjo me asocon me gjendjen reale të opozitës në Kosovë, e cila sillet sikur përbindëshi afër kamerës ani pse shumë e vogël, prapë nuk është shëruar nga mania për tu dukur e madhe. Dhe kjo nuk e di si klasifikohet ndryshe pos ç’rregullim psikik i të menduarit. Kjo nuk është asgjë tjetër pos gjendje psikoze.

Sa janë të denjët e dashamirë të vendit po tregohet qartazi nëper sokaqe e studio televizive kur humbësit e thellë të zgjedhjeve po deklarojnë se s’do ta bëjnë kuorumin për zgjedhjen e presidentes, një hap ky kundër vullnetit qytetar që në mënyrë unanime ua dha ndëshkimin të korruptuarve me notë mesatare për korrupsion, dhjetë.

U deshën 21 vjet që populli të arrijë të ndajë opozitën nga pozita dhe këta prapë duan që të përbethen me pushtetin sa për të kapur diçka të mbetur nga qeveria paraprake, e cila bashkoi komplotistët për interesa vetanake dhe si të tillë edhe sot duan të futen në qeveri për të mbuluar hajnitë ose për të vjedhur diçka që iu ka ngelur përgjysmë.

Me qenë se populli vendosi që të ketë një pushtet të fortë dhe të pa provuar deri me tani, i cili edhe në raste mocioni mos-besimi e komploti, është i qëndrueshëm gjë që nuk mund ta rrëzoni kur ju të doni për interesa klanore. Ju duhet të mbani atë kolltuk opozite edhe pse as opozitë nuk dini të bëni siç nuk keni ditur kurrë. Apo s’po ju mbajnë sarajet brenda pa poste? E ndershme do ishte të mbani atë post për të cilin i morët votat, rrini në opozitë e mos ikni, por respektojeni vullnetin qytetar, bëhuni të dinjitetshëm një herë në jetën tuaj.

Duke e njohur mentalitetin e juaj, po besoj se vetëm një presion nga Amerika dhe faktori ndërkombëtar mund të ju fusin në sallën e Kuvendit të Kosovës, për ta bërë kuorumin për votim të presidentes, se morali dhe ndërgjegjja e juaj nuk ju futë dot.

Deri kur e keqja e vendit tonë të jemi ne? Fishta ka thënë: ‘Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta’. E keqja e këtij vargu është se neve, më shumë na shkon përshtati sot ky varg se në kohën kur Fishta e shkroi. E dhimbshme, por e vërtetë.

Teoria e fundit popullore se pse disa kombe janë të varfra e disa të pasura, është hipotezë e injorancës e cila pohon se pabarazia botërore ekziston për shkak se, ne ose qeveritarët tanë nuk dimë se si ta bëjmë të pasur vendin tonë të varfër. Vendet si Britania e Madhe, Gjermania, Amerika etj, u bënë të pasura sepse qytetarët e tyre përmbysën elitat që kontrollonin pushtetin dhe formuan një shoqëri ku të drejtat e pushtetit i shpërndanë. Ne edhe këtë shansë deri sot e patëm humbur. Dhe tani që populli e solli me votë, elita e korruptuar politike don ta minojë deri në zhbërjen e vetes së vet. Një proverb e vjetër thotë: ”Ujku ia kishte ngrëne gomarit kofshën dhe gomari thoshte “bëje zot ëndërr” ngase s’donte ta besonte realitetin e kobshëm”.

Me kujtohet kur iu pata qeshur profesoreshës në orë të mësimit dhe ajo e revoltuar me kishte thënë: “Qesh mirë kush qesh i fundit”. Në fushatë elektorale i përqafonit qytetarët dhe ju qeshnit sa për t’ua marrë votën, pastaj i shpërblyet me ikje, pasiguri, papunësi, varfëri, zgjodhët ta duani popullin në heshtje, sepse në heshtje nuk gjenit as një pengesë.

Nëse duhet bërë një lëndim ndaj një njeriu, atëherë ai lëndim duhet të jetë shumë i rëndë saqë nga hakmarrja e tij të mos kesh aspak frikë. Ju edhe këtë e provuat, por kësaj radhe ju doli llogaria ndryshe. Tani ne po qeshim me ju siç dikur qeshnit ju me ne.

Refuzimi dhemb. Te humbësh dikë dhemb. Por që ju humben ju nuk po na dhemb. Dhemb edhe dëshira. Të gjithë i ngatërrojnë këto me dashurinë kur në fakt, dashuria është e vetmja që fshinë çdo dhembje duke na bërë të ndihemi mrekullisht mirë. Dashuria është e vetmja në këtë botë që nuk dhemb, por ju e tradhtuat dhe ajo sot po ju dhemb juve, por jo edhe neve. Dashuria e pa pjekur thotë “Të dua sepse kam nevojë për ty”, ndërsa ajo e pjekur e thotë të kundërtën “Të dua sepse të dua”. Ju nuk e deshët popullin as vendin. E deshët vetëm pushtetin si trampolinë për t’u pasuruar.

Ps: Ju jeni produkt i mendimit dhe egos suaj dhe si të tillë jeni bërë ata që mendoni. Ato që janë mbrapa dhe para jush, janë vogëlsira, në krahasim me ato që janë brenda jush. Uroj ta pushtoni vetveten një ditë në mënyrë që të riktheheni aty ku e keni vendin. Ju keni vdekur sapo u zhytet në korrupsion, por u deshën 21 vjet që të varrosi.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights