Lëngjet e frutave, po aq të rrezikshme sa pijet me gaz

Një studimi i fundit ka treguar se pijet me sheqer, madje dhe ato që cilësohen si 100 % lëng frutash natyrale, kanë rrezikshmëri të lartë për të shkaktuar vdekje të parakohshme. Në përgjithësi, sheqernat që gjenden në lëngun e frutave, janë po aq të dëmshme sa sheqernat sintetike që përdoren për pijet e gazuara.

“Pijet me sheqer, qofshin ato të gazuara, qofshin lëngje futash, duhet të kufizohen,” shprehet Jean A. Welsh, autorja e studimit.

Tashmë shtatë qytete amerikane, duke përfshirë Nju Jorkun, kanë vendosur taksa për pijet të cilat kanë sasi të mëdha sheqeri, në mënyrë që të reduktojnë konsumimin e tyre.

“Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se konsumi i lartë i sheqernave, është një ndër faktorët kryesorë që shkakton sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu obeziteti dhe diabeti janë dy nga sëmundjet kryesore që shkaktohen vetëm nga pijet me sheqer,” shton Welsh

Duke u nisur nga ky studim i gjerë, Welsh dhe kolegët e saj analizuan të dhënat e 13.440 njerëzve në mbarë botën nga mosha 35 vjeç e lart dhe rezultatet nuk ishin aspak të mira.

Rreth 71% e meshkujve që morën pjesë në studim ishin obezë. Të dhënat treguan gjithashtu se njerëzit që konsumonin më shumë se ç’duhet lëngje me përmbajtje sheqeri, kishin 44% mundësi më shumë për t’u rrezikuar nga vdekja e parakohshme, për shkak të sëmundjeve të zemrës.

“Duke parë rezultatet tona për pijet me sheqer dhe lëngjet e shtrydhura, duhet të jemi të qartë se ato janë të dëmshme për shëndetin,” shtoi Welsh. Ndër të tjera ajo shprehet se nuk është e habitur nga këto gjetje. Bashkë me kolegët e saj, Welsh shpjegon se ka një sërë mekanizmash biologjike të cilat në bashkëveprim me sheqernat, ndikojnë në rrezikun e vdekjes së parakohshme. Hulumtimi tregon që lëngjet e frutave rrisin rezistencën ndaj insulinës, e cila është e njohur për shkaktimin e sëmundjeve të zemrës, ndërsa konsumimi i fruktozës mund të stimulojë hormonet që nxisin shtimin e peshës.

Marta Guasch-Ferré, një shkencëtare në Departamentin e Ushqimit në Harvard, tha se ky është një nga studimet e para që ka shqyrtuar dëmin që shkaktojnë lëngjet e frutave. Megjithatë, ajo shtoi se studimi ishte i kufizuar.

“Edhe pse lëngjet e frutave mund të mos cilësohen aq të dëmshme sa pijet e sheqerit, konsumi i tyre duhet të kufizohet tek fëmijët dhe të rriturit, veçanërisht për individët që dëshirojnë të kontrollojnë peshën e tyre trupore. Kërkimi i mëtejshëm është i nevojshëm për të shqyrtuar rreziqet shëndetësore dhe përfitimet e mundshme të lëngjeve të frutave specifike,” shkruan Guasch-Ferré.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here