Sulmi në tru është ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë.
Trajtimi dhe parandalimi i tij është shumë i rëndësishëm dhe për këtë na flet më në detaje shefi i Neurologjisë në Spitalin e Gjakovës, Dr. Memli Haxhishabani në një intervistë për Gazetën Shneta.
Haxhishabani tha se ka dy lloje të sulmit, infarkti i trurit-isemik dhe hemoragjik.
“Truri edhe pse është 2% i peshës trupore shpenzon 20% të gjakut në tru dhe 25% të sheqerit dhe çdo dëmtim i tij lë pasoja shumë të rënda për shëndetin e pacientit. Ka dy lloje të sulmeve, infarkti i trurit ku mbyllet ena e gjakut dhe hemoragjinë apo gjakderdhja. Zakonisht gjakderdhje kanë fatalitet më të lartë, 75% të pacientëve përfundojnë me vdekje, ndërsa tek infarkti 20% është fatalitetit”, tha ai.
Tutje neurologu tregoi edhe për faktorë kryesorë që shkaktojnë një sulm në tru.
“Shkaktarët kryesor janë faktor gjenetik që ne nuk mund t’i ndalojmë siç janë faktorët gjenetik, gjinia, mosha e pacientit, pastaj janë sëmundjet e lidhura me tru si hipertensioni, problemet me diabeti apo me zemër, por janë edhe faktorët që ne mund të parandalojmë si duhani, alkooli, mbipesha”, u shpreh ai.
Për masat parandaluese, Haxhishabani u shpreh se janë disa raste ku mund të parandalohet dhe mënyra e trajtimit efektiv të tij.
“Sulmi në tru mund të parandalohet në rastet kur pacienti ka diabet, yndyrë, tension dhe probleme me zemër ato duhet të trajtohen dhe kjo ndihmon parandalimin e sulmit në tru, pastaj edhe aktiviteti fizik ka shumë rëndësi, veset si konsumimi i duhanit dhe alkoolit janë faktor që rrisin rrezikun dhe mund të parandalohet”, përfundoi Haxhishabani.
Më poshtë intervista e plotë me Dr. Memli Haxhishabani. /Gazeta Shneta/