Starton ndeshja Shqipëri-Andorrë, e vlefshme për raundin e dytë të Grupit K kualifikues për Kampionatin Botëror. Pas humbjes në Angli, Kombëtarja shqiptare do të kërkojë kthesën përballë Andorrës.
Kuqezinjtë janë favoritët absolut në këtë ndeshje, teksa diçka të tillë e thotë edhe e shkuara. Statistikat e ndeshjeve direkte mes Shqipërisë dhe Andorrës flasin pikërisht për Kombëtaren tonë.
Në 7 ndeshje të zhvilluara, Shqipëria ka fituar 5 prej tyre. Ndërkohë që Andorra ka fituar një, në vitin 2002 me rezultatin 2-0. Ndërkohë që kanë marrë edhe një barazim në vitin 2019, sfidë që përfundoi 2-2.
Kompanitë e basteve e mendojnë Shqipërinë si favorite absolute ndaj Andorrës. Fitorja e kuqezinjve në “Arenën Kombëtare” kutohet 1.2. Në anën tjetër barazimi me 6 dhe fitorja e Andorrës do të ishte mrekulli. Kjo pasi koeficienti për miqtë është 21.
Të njëjtat kuota, por në krahun e kundërt, ishin për ndeshjen e Shqipërisë ndaj Anglisë.
Pak minuta më parë është publikuar edhe formacioni zyrtar i kuqezinjve. Trajneri Silvinjo ka bërë zgjedhjet e tij, duke provuar ndryshime të mëdha. Tekniku brazilian nuk ka ndryshuar prapavijën e kuqezinjve në krahasim me ndeshjen me Anglinë, por ka bërë një lëvizje në mesfushë, duke larguar Ramadanin për t’i bërë vend debutuesit Shehu.
Ndërkohë në sulm nuk është asnjë nga titullarët e ndeshjes me Anglinë, pasi në krahë janë Hoxha dhe Broja, me Manajn në qendër të sulmit.
Kjo sfidë do të gjykohet nga arbitri austriak Sebastian Gishamer, teksa në fushë do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij, Roland Ridel, Santino Shreiner dhe Valter Altman, ndërsa në VAR do të jenë Manuel Shutengruber dhe Sara Telek.
Andorra është në të njëjtin vend në renditje si Shqipëria në Grupin K, pas disfatës 0-1 që mori nga Letonia.