Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist që nesër në Kuvend do të kalojë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ai tha se pret që iniciativa e kësaj partie të përkrahet nga të gjithë deputetët.
Hamza tha se kjo është një iniciativë ligjore e PDK-së, e mbështetur, sipas tij, edhe nga qytetarët e Kosovës. Ai theksoi se projektligji ka marrë edhe miratimin e Qeverisë dhe tash i plotëson kushtet për t’u proceduar në Kuvend.
“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët dhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, ka thënë Hamza.
Ai ka kritikuar procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë për mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje, ndërsa vendimin e fundit e ka cilësuar të padrejtë, raporton EO, transmeton Sinjali.
“Kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës. Ku qytetarët e Kosovës që përballen me këtë drejtësi, ballafaqohen me një proces të padrejtë ku shkelen edhe të drejtat e njeriut, siç kemi konstatime edhe prej organizatave kredibile ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Hamza tha se, pavarësisht vështirësive dhe problemeve të deritashme, PDK-ja vazhdon të besojë në drejtësi. Ai bëri të ditur se apeli do të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara dhe shprehu pritjen që të merret një vendim i drejtë, i bazuar në fakte dhe prova.
“Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk mundet me u gjykuar njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet me u faktuar”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja nuk është kundër hetimit dhe faktimit të krimeve, por kundërshton atë që e quan proces të padrejtë.
Në fund, Hamza tha se ndryshimet ligjore nuk synojnë shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave dhe kthimin e tyre, siç tha ai, brenda normave juridike dhe ligjore.
“Ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore. Për këtë arsye, unë jam i bindur që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jenë në përkrahje të këtij ligji dhe ky ligj do të përfundojë nesër brenda procedurave të Kuvendit”, ka përfunduar Hamza.
