Real Madridi praktikisht i ka shpallur luftë UEFA-s, duke bojkotuar sot ceremoninë e “Topit të Artë”, pasi ka mësuar se nuk do të jetë braziliani Vinicius fituesi i këtij trofeut dhe se të gjitha rrugët të çojnë drejt Rodrit. Madrilenët ndjehen të fyer, pasi mendonin se kishin në radhët e tyre kandidatët më të mirë të mundshëm për të fituar trofeun sipas kritereve për suksesin.
Madrilenët kishin planifikuar të udhëtonin me një delegacion me 50 persona drejt Parisit, por tashëm do të bojkotojnë plotësisht ceremoninë e çmimit që këtë vit ka si bashkëorganizatore edhe UEFA-n, me të cilën marrëdhëniet nuk janë të mira për shkak të çështjes së Superligës.
Burime brenda klubit kanë shpjeguar për mediat spanjolle se pse erdhi ku vendim për bojkotin e ceremonisë.
“Nëse kriteret për çmimin nuk shpallin fitues Vinicius, të njëjtat kritere duhet të shpallin fitues Karvahal. Meqë nuk është kështu, është e qartë që “Topi i Artë” dhe UEFA nuk respektojnë Real Madridin. Dhe Real Madridi nuk shkon ku nuk e respektojnë”, shpjegohet nga brenda klubit.