Shkencëtarët kanë zbuluar një burim të jashtëzakonshëm të energjisë që mund të furnizoi gjithë Kinën për 60,000 vjet.
Ky zbulim i fundit, i bërë në Kinë dhe i publikuar në revistën shkencore Geological Review, tregon se vendi mund të ketë rezerva shumë më të mëdha të një metali radioaktiv sesa mendohej më parë.
Çfarë është toriumi dhe pse është i rëndësishëm?
Toriumi është një metal me ngjyrë argjendi që mund të prodhojë 200 herë më shumë energji se uraniumi, sipas Interesting Engineering. Krahas avantazhit energjetik, toriumi ka edhe përparësi të tjera:
1. Reaktorët me kripë të shkrirë të toriumit prodhojnë pothuajse asnjë mbetje radioaktive, duke e bërë atë shumë më miqësor me mjedisin.
2. Nuk ka nevojë për sistem ftohës me ujë, ndryshe nga centralet bërthamore tradicionale.
Sipas raportit, kompleksi i minierave Bayan Obo mund të përmbajë rreth një milion ton torium, një sasi e mjaftueshme për të furnizuar me energji të gjithë Kinën për 60,000 vjet.
Ekspertët japin alarmin për sfidat e nxjerrjes
Dr. Fan Honghai, kryesuesi i studimit nga Laboratori Kombëtar i Eksplorimit të Burimeve të Uraniumit në Pekin, deklaroi se këto reserva mbeten plotësisht të paprekura.
Ndërkohë, një gjeolog me bazë në Pekin, i cili kërkoi të mbetej anonim, u shpreh për South China Morning Post:
“Prej më shumë se një shekulli, kombet janë luftuar për lëndët djegëse fosile. Por duket se burimi i pashtershëm i energjisë ka qenë gjithmonë poshtë këmbëve tona.”
Megjithatë, pavarësisht optimizmit, nxjerrja e toriumit mbetet një sfidë e madhe. Procesi kërkon sasi të mëdha acidi dhe energjie, duke e bërë atë kompleks dhe të shtrenjtë.
A mund të përdoret toriumi për qëllime të gabuara?
Një tjetër shqetësim është përdorimi i tij i mundshëm për qëllime të rrezikshme. Disa ekspertë paralajmërojnë se nënproduktet e toriumit mund të shfrytëzohen për qëllime ushtarake, ndonëse shumica e shkencëtarëve besojnë se nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e armëve bërthamore.
Honghai përfundon:
“Kërkesa për torium në sektorët e energjisë bërthamore dhe shtytjes bërthamore paraqet njëkohësisht mundësi të mëdha dhe sfida serioze për eksplorimin dhe shfrytëzimin e tij në Kinë.”
Për arsye sigurie kombëtare, sasia e saktë e toriumit në Kinë nuk është bërë publike.