Një teori e re e arkeologëve po trondit botën. Një grup studiuesish nga Italia dhe Skocia pretendojnë se kanë zbuluar një qytet të madh nëntokësor, i cili shtrihet poshtë Piramidave të Gizës dhe mendohet se mund të jetë më i madh se sa vetë sipërfaqja e piramidave. Sipas informacioneve të mediave të huaja, mendohet që “zbulimi” të jetë bërë në sajë të pajisjeve teknologjike të sofistikuara.
Një deklaratë për shtyp i përshkroi gjetjet si ‘novator’ dhe nëse janë të vërteta mund të rishkruajnë historinë eEgjiptit të lashtë. Teknika e re e radarit, e cila është përdorur për studimin funksionon duke kombinuar të dhënat e radarit satelitor me dridhjet e vogla nga lëvizjet sizmike që ndodhin në mënyrë natyrale, për të ndërtuar imazhe 3D të asaj që shtrihet nën sipërfaqen e tokës, pa bërë asnjë gërmim fizik.
Megjithatë, disa ekspertë të pavarur kanë ngritur shqetësime serioze në lidhje me studimin. Një ekspert i radarëve në Universitetin e Denverit, i cili fokusohet tek zbulimet arkeologjike tha për “Daily Mail” se teknologjia nuk mund të depërtojë aq thellë në tokë, duke e bërë idenë e një qyteti nëntokësor ‘një ekzagjerim të madh’.
Ai shprehet se është e imagjinueshme se ka struktura të vogla, të tilla si boshte dhe dhoma, poshtë piramidave që ekzistonin përpara se të ndërtoheshin, sepse vendi ishte ‘i veçantë për njerëzit e lashtë’. Sipas tij se e vetmja mënyrë për të vërtetuar nëse zbulimet janë të vërteta do të ishin gërmimet.
Ndërkohë mediat e huaja bëjnë të ditur se kërkimet e grupit të arkeologëve do të vazhdojnë përgjatë gjithë vitit 2025, duke hedhur dritë mbi atë që “fshihet” poshtë Piramidave të Gizës.