Izraeli përshkallëzon tensionet me Turqinë, Netanyahu urdhëron nisjen e një çështje kundër Erdoganit në Hagë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ekipin ndërministror të Izraelit dhe drejtuesin e Departamentit të së Drejtës Ndërkombëtare që të nisin përgatitjet për një çështje ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN) kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas mediave izraelite, çështja që po përgatitet do të përqendrohet kryesisht te pretendimet e Izraelit për trajtimin e pakicës kurde nga autoritetet turke. Ajo pritet të përfshijë gjithashtu pretendimet izraelite se qeveria e Erdoganit ka financuar Hamasin.

Vendimi i Netanyahut vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Izraelit dhe Turqisë. Më 21 gusht, ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, njoftoi se Ankaraja kishte nisur procedurat për t’i kërkuar Interpolit një Njoftim të Kuq ndaj Netanyahut dhe një tjetër të dyshuari, në kuadër të një procesi gjyqësor në Turqi lidhur me ndërhyrjen izraelite ndaj aktivistëve të Flotiljes Globale Sumud.Një Njoftim i Kuq i Interpolit nuk përbën në vetvete urdhër ndërkombëtar arresti.

Interpoli shqyrton kërkesat e shteteve anëtare dhe u kërkon autoriteteve policore në vende të ndryshme të lokalizojnë dhe, sipas legjislacionit kombëtar, të ndalojnë përkohësisht personin në pritje të procedurave të mëtejshme.Izraeli po shqyrton mundësinë që çështja kundër Erdoganit të paraqitet përmes një pale tjetër. Si Izraeli, ashtu edhe Turqia nuk janë palë në Statutin e Romës, traktati themelues i GJPN-së. Media izraelit raportoi se zyrtarët izraelitë shpresojnë që çështja të mos jetë e nevojshme të depozitohet dhe se përgatitja e saj mund të përdoret si mjet presioni diplomatik ndaj Ankarasë.

Rasti ka edhe një dimension të veçantë juridik: GJPN-ja ka lëshuar që në nëntor 2024 një urdhër arresti ndaj Netanyahut lidhur me luftën në Gaza. Gjykata deklaroi në atë kohë se kishte gjetur baza të arsyeshme për të besuar se Netanyahu mbante përgjegjësi penale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.Situata nxjerr në pah një kontrast në qëndrimin e Izraelit ndaj GJPN-së. Qeveria izraelite ka kundërshtuar juridiksionin e kësaj gjykate dhe ka hedhur poshtë urdhrin e saj të arrestit ndaj Netanyahut, ndërsa tani po shqyrton përdorimin e të njëjtit institucion ndërkombëtar për një çështje kundër Erdoganit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME