A ekziston Zoti? Disa shkencëtarë i japin përgjigjet e tyre përfundimtare pyetjes së përjetshme

Zoti – i përshkruar në filma dhe seriale si Monty Python, The Simpsons dhe Bruce Almighty – nuk është një koncept ekskluzivisht i krishterë, apo i feve monoteiste në përgjithësi.

Por, pavarësisht fesë, ngjarje të rënda si luftërat, tërmetet dhe tragjeditë shpesh i shtyjnë njerëzit të vënë në dyshim ekzistencën e një hyjnie të plotfuqishme.

Nuk është gjetur asnjë provë shkencore që dëshmon ekzistencën e Zotit – ndonëse shumë njerëz argumentojnë se vetë fakti që jemi gjallë është një dëshmi e ekzistencës së Tij.

Pra, a ka Zot, dhe nëse po, çfarë forme merr Ai?

Tani, disa studiues kanë dhënë përgjigjen e tyre përfundimtare për këtë pyetje të përjetshme.

Si është portretizuar Zoti në kulturën popullore dhe në fetë monoteiste?

Në kulturën popullore, Zoti shpesh është paraqitur si një burrë i moshuar me mjekër dhe rroba të bardha, një imazh i popullarizuar nga piktura Krijimi tw Adamit nga artisti italian Michelangelo.

Kjo vepër e shekullit të 16-të, e vendosur në tavanin e Kapelës Sistine në Vatikan, përshkruan momentin kur, sipas besimit të krishterë, Zoti krijon njeriun duke prekur me dorë.

Edhe në Bibël, Zoti shpesh përshkruhet duke përdorur përemrat “Ai” dhe “Atij”. Madje, një fragment nga Dhiata e Vjetër e përshkruan Atë si një figurë madhështore e veshur me të bardha:

“Rrobat e tij ishin të bardha si bora; flokët e kokës së tij ishin të bardha. Froni i tij po digjej nga zjarri dhe rrotat e tij ishin të gjitha të ndezura. Një lumë zjarri rridhte dhe dilte para tij.”

Megjithatë, sipas studiuesve të teologjisë, Zoti nuk duhet të shihet si një qenie me formë njerëzore, as mashkull e as femër. Përkundrazi, Ai ekziston në një kuptim më të thellë dhe subjektiv – si një burim force dhe udhëzimi për miliona besimtarë.

A është Zoti një koncept filozofik?

Dr. Ilia Delio, teologe në Universitetin Villanova në Pensilvani, thotë se njerëzimi e ka antropomorfizuar Zotin – domethënë, i ka atribuuar Atij cilësi njerëzore, por kjo nuk e bën Zotin njeri.

“Ne e kemi antropomorfizuar Zotin – e kemi përfytyruar si një super ‘burrë’, si një figurë madhështore në qiell që mund ta pranojmë ose ta refuzojmë”, thotë Dr. Delio për MailOnline, përcjell Korrespodenti.

“Por ky nuk është Zoti – është një projeksion i nevojës sonë për një hyjni.”

Ajo shpjegon se Zoti nuk është një objekt për t’u parë, por një koncept thelbësor që përfaqëson “vetë qenien” dhe “simbolin e jetës së pakushtëzuar”.

“Kushdo që argumenton pro ose kundër Zotit nuk e ka kuptuar thelbin e këtij koncepti”, shton ajo. “Zoti nuk është një çështje për debat, por themeli i gjithçkaje që ekziston, i pakufizuar nga mendja njerëzore.”

A mund të provohet ekzistenca e Zotit?

Alexandros Batalias, doktorant në Inteligjencë Artificiale dhe Antropologji Teologjike në Universitetin e Kembrixhit, pajtohet me këtë ide.

“Gjatë gjithë historisë së krishterimit, teologët dhe filozofët kanë tentuar të përdorin argumente logjike për të dëshmuar ekzistencën e Zotit”, shpjegon ai.

“Por realiteti i Zotit nuk mund të provohet shkencërisht, sepse Ai i tejkalon kufijtë e të kuptuarit njerëzor.”

Sipas tij, nuk ekziston asnjë mënyrë për të ndërtuar një teori apo argument shkencor që objektivisht provon ekzistencën e Zotit, sepse Zoti nuk është një objekt që mund të matet apo analizohet.

A krijoi Zoti universin?

Nëse Zoti krijoi universin apo jo, është një debat i hapur që ndoshta nuk do të marrë kurrë një përgjigje përfundimtare.

Disa shkencëtarë pohojnë se nuk ka prova që e mohojnë këtë ide, ashtu si nuk ka eksperimente që mund të konfirmojnë ekzistencën e Zotit.

Shumica e shkencëtarëve pajtohen që universi ka ekzistuar për rreth 14 miliardë vjet dhe ka filluar me shpërthimin e madh të njohur si “Big Bang”.

Disa të krishterë besojnë se Big Bang-u kishte nevojë për një krijues hyjnor, por shumë akademikë e kanë kundërshtuar këtë ide, përfshirë edhe fizikanin e famshëm Stephen Hawking.

Hawking argumentoi se shpërthimi i madh ishte i pashmangshëm për shkak të ligjit të gravitetit, duke sfiduar besimin e Isaac Newton-it, i cili mendonte se universi duhej të ishte krijuar nga Zoti pasi nuk mund të ishte formuar nga kaosi.

Në librin e tij ‘The Grand Design’ (2010), Hawking shkruan: “Universi mund ta krijojë veten nga asgjëja.”

Ai gjithashtu deklaroi: “Nuk është e nevojshme të kërkohet ndërhyrja e Zotit për të ndezur ‘fitilin’ dhe për të vënë në lëvizje universin.”

A varet besimi në Zot nga perceptimi personal?

Ndërkohë, biologu evolucionar Richard Dawkins ka përshkruar shtatë kategori që përcaktojnë nivelin e besimit në Zot.

Këto kategori variojnë nga 100% i sigurt se Zoti ekziston (teist), deri te 100% i sigurt se Zoti nuk ekziston (ateist), me një nivel të ndërmjetëm të pasigurisë (agnostik).

Ndërsa disa argumentojnë se besimi në Zot varet kryesisht nga bindjet dhe përvoja personale, Dawkins – një ateist i njohur – e cilëson idenë e një zoti personal si një iluzion.

Në librin e tij ‘The God Delusion’, ai shkruan: “Është një mendim naiv të besosh se dikush tjetër ka përgjegjësinë për t’i dhënë jetës tënde kuptim.”

“Pikëpamja e vërtetë e të rriturve është se jeta është aq kuptimplotë dhe e mrekullueshme sa ne zgjedhim ta bëjmë atë”, thotë Dawkins. /Korrespodenti

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here