Zvicra është shpallur shteti fitues i “Eurovision 2024”, përfaqësuar nga artisti Nemo me këngën “The Code”.
Artisti zviceran Nemo, është personi i parë jo-binar (i papërcaktuar në gjini) që fiton këtë konkurs, shkruan En As.
Jo-binariteti ose gjinia asnjanëse është një identitet gjinor që nuk përcakton individin ekskluzivisht si mashkull apo si femër.
Nemo, i cili në mbrëmjen finale u pa duke marrë shumë herë nga 12 pikë nga juritë profesionale të shteteve pjesëmarrëse, pas çdo rezultati u pa duke valëvitur një flamur me vija horizontale me ngjyrat e verdhë, e bardhë, e vjollcë dhe e zezë – flamur i cili përfaqëson komunitetin jo-binar.
Ngjyrat e flamurit jo-binar kanë këto kuptime: vija e verdhë përfaqëson njerëzit që identifikohen jashtë binaritetit gjinor mashkull ose femër (gjinia e caktuar në lindje), vija e bardhë për njerëzit multigjinorë, vija vjollcë për ata që identifikohen si një kombinim i mashkullit dhe femrës, ndërsa vija e zezë për njerëzit që ndjejnë se nuk kanë një gjini (agjinorë).
Në finalen e “Eurovision 2024”, në vendin e dytë u rendit Kroacia, gjersa në vendin e tretë Ukraina.