Kryeministri Edi Rama ka folur në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ndikimin e dezinformimit dhe Inteligjencës Artificiale te shoqëria, duke sjellë si shembull edhe protestat e “Revolucionit të Flamingove” në Shqipëri.
Rama pretendoi se pas lëvizjes qëndronte një narrativë e fabrikuar për një pretendim mbi pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, duke thënë se një ngjarje e tillë “s’ka ndodhur kurrë”.
Sipas tij, kjo narrativë është shpërndarë përmes zërave, faqeve dhe kanaleve të ndryshme, duke krijuar versione të ndryshme të së njëjtës histori.
“Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë, por kjo u fabrikua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve.”
Rama tha se qytetarëve iu paraqitën versione të ndryshme, nga “tradhtia kombëtare” te “provokimi fetar” apo “pushtimi i jashtëm”, duke i përshkruar këto si narrativa që ushqyen emocione të ndryshme.
“Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike. Pasojat ishin reale.”
Kryeministri argumentoi se, edhe pse qytetarët mund të kishin arsye për të protestuar, informacioni i rremë e zhvendosi objektin e protestës drejt një kërcënimi që, sipas tij, nuk ekzistonte.
“Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet.”
Rama e përdori këtë shembull për të argumentuar se ndikimi përmes algoritmeve dhe informacionit të manipuluar nuk është më një skenar teorik.
“Nuk ishte eksperiment, nuk po ju flas për film. Ishte një e martë në Tiranë. Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor. Ky është mashtrim sistematik.”
Në përfundim, Rama paralajmëroi se ndërhyrja në procese zgjedhore mund të realizohet tashmë në mënyrë shumë më të targetuar, duke iu drejtuar individëve të veçantë dhe jo domosdoshmërisht një popullate të tërë.
“Ndërhyrja në zgjedhje nuk kërkon më që një TV publik apo një propagandë t’i drejtohet një popullate të tërë. Tashmë mund të ndikojë te vullneti i çdo votuesi”, tha Rama.
