Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Çdo ditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes çifteve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë,raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar së fundmi në Policinë në Pejë dhe këtë herë viktimë është një burrë.
Sinjali ka mësuar se viktima e këtij rasti është një zyrtar policor nga Peja, i cili e ka denoncuar gruan me të cilën bashkëjetojnë qe një kohë të gjatë.
Sipas informacioneve të para, e dyshuara, rreth 40-vjeçare, po dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj partnerit të saj polic.
Përballë kësaj situate, zyrtari policor vendosi ta denoncojë rastin në Polici, ku edhe dha deklaratën e tij për atë që kishte ndodhur.
Si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarës.
Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë, nën dyshimët se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”.