Zmbrapset Serbia – nga “nuk ka dorëzim, KM mbetet” tek vendimi për lëvizjen e lirë të veturave me RKS

Nga 1 janari 2024, automjetet me targa të Kosovës RKS do të mund të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e Serbisë, pa letra ngjitëse, ka vendosur dje qeveria serbe.

Çështja e targave dikur shkaktoi krizë dyvjeçare në veri të Kosovës dhe presidenti Vuçiq kishte thënë pak më shumë se një vit më parë se “nuk ka dorëzim” dhe se serbët nuk do të pranojnë targat RKS.

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për të mundësuar lirinë e lëvizjes së të gjitha automjeteve nga Kosova, ka bërë të ditur mbrëmë drejtori i të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq. Ai ka theksuar se “në këtë mënyrë mbrohen të drejtat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, si dhe u mundësohet lëvizja e lirë.

Petkoviq ka pretenduar se në të gjitha pikat kufitare do të deklarohet se “një vendim i tillë nuk e pranon pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”.

Kjo i dha fund sagës së targave në veri të Kosovës, edhe pse vendimi i Kosovës për të mos toleruar më targat serbe në veri dikur ka shkaktuar krizë dyvjeçare.

Jo shumë kohë më parë, në tetor të vitit 2022, presidenti Vuçiq me këmbëngulje kishte thënë se “nuk ka dorëzim” dhe se serbët nuk do të pranojnë targat RKS, domethënë se targat KM do të mbeten, transmeton Paparaci.

I pyetur nga gazetari i N1 nëse kjo do të thotë se targat KM do të mbesin, Vuçiq u përgjigj: “Dhe e shoh se jeni nervoz kur i dëgjoni këto dy fjalë ose jeni kundër këtyre dy fjalëve, kështu që nuk mund të duroni as përgjigjen deri në fund. “KM mbetet. Ashtu siç thamë një muaj më parë, dy muaj më parë dhe disa muaj më parë”.

Në të njëjtën kohë, ai akuzoi N1 se nuk ka raportuar të vërtetën për targat.

“Meqenëse thua se është bërë një pjesë e ri-regjistrimit, po është bërë, por nuk ke thënë të vërtetën – e vërteta është se ka ri-regjistrim, por në KS e jo në RKS, Ju thjesht nuk ua keni thënë njerëzve të vërtetën”, e ka akuzuar Vuçiqi këtë media.

Ai ka thënë se targat RKS i kanë marrë serbët në jug të Kosovës, sepse nuk mund të garantojnë sigurinë e tyre, ndërsa në veri “nuk ka shans të jetë kështu”.

“Ju keni harruar të thoni se njerëzit kanë kërkuar ri-regjistrim në targa neutrale ndaj statusit, dhe jo ato të cilat nuk janë. Çfarë po bëni kështu? Pse nuk ua jepni informacionin i drejtë njerëzve. Sepse e di që ju e dini se cila është e vërteta. Pra, po, kanë kërkuar ri-regjistrim, por kanë kërkuar që të ri-regjistrohet në targa KS. Nuk ka problem për targa KS pasi janë neutrale ndaj statusit. Dhe a e dini se cili ishte reagimi i tyre ndaj targave KS në Bruksel? U hodhën si të përvëluar, në majë të këtij muri! Do ta kishin më të lehtë të tolerojnë çdo gjë, vetëm jo targat KS, sepse targat KS flasin për neutralitet statusor. Do të pranojnë çdo gjë, përveç targave KS”, ka thënë Vuçiq në atë kohë, të cilën deklaratë e përkujtoi portalin KoSSev në llogarinë e tij zyrtare në platformën X.

Paraprakisht, pas përshkallëzimit të situatës dhe krizës në vendet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, në vjeshtën e vitit 2021, problemi u zgjidh përkohësisht me marrëveshje për vendosjen e letrave ngjitëse gjatë hyrjes në Kosovë, gjegjësisht në Serbi, si për automjete me targa RKS ashtu edhe për ata me targa të Serbisë, përkujton Kossev.

“Ne mbrojtëm të drejtën e lëvizjes së lirë, paqja u ruajt. Kemi dhënë më pak se në vitin 2012. Populli është i lehtësuar”, mburrej në atë kohë Aleksandar Vuçiq.

Këtë vjeshtë, më shumë se 4.200 persona nga veriu i Kosovës që kishin targa KM i ri-regjistruan automjetet e tyre në RKS dhe afërsisht po aq i zëvendësuan me targa të qyteteve në Serbinë.

Ky proces së fundi përfundoi me heshtjen e Beogradit zyrtar dhe me mungesën e interesimit të mediave të regjimit serb, thekson KoSSev.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here