23 C
Pristina
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Vrasja e gruas nga burri i saj në Pejë çon në këmbë vendin: A po dështon shteti t’i mbrojë gratë?

Vrasja që ndodhi sot në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre. Ngjarja që ndodhi mëngjesin e së martës tronditi vendin. Edmond Lajqi e privoi nga jeta bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukella, duke e qëlluar me armë në banesën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi sot se Lajqi, me të kaluar kriminale, u dorëzua vet në Polici dhe raportoi për krimin ndaj bashkëshortes. Sipas informacioneve të para, çifti dyshohet se kanë pasur raste të dhunës në familje në të kaluarën, që janë raportuar te organet e rendit.

Motivi i krimit akoma nuk dihet, por që tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat që çuan deri te ky rast i rëndë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërkohë që njësitë policore dhe Prokurori i Shtetit ndodhen akoma në vendin e ngjarjes.

Para disa orësh, prokurori i Krimeve të Rënda në Pejë, Ersan Qavolli ka dhënë detajet e fundit lidhur me rastin e vrasjes së rëndë.

Qavolli e konfirmoi se kanë lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës dhe se ndaj të ndjerit është urdhëruar masa e ndalimit policor.

“Sot rreth orës 08:00 e kemi pranuar një informacion për kryerjen e një vepre penale, vrasje e rëndë. Menjëherë së bashku me kryeprokurorin dhe zyrtarë e tjerë policor kemi dalur në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, ka thënë ai.

Prokurori tha se ekzistojnë dyshime fillestare, por nuk është deklaruar në detaje për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore, kemi lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës. Kemi dyshime fillestare mirëpo për momentin për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të lëshohemi më shumë lidhur me motivet. Edhe lidhur me këtë çështje gjatë fazës hetimore do të ju njoftojmë me kohë për të gjitha informatat që konsiderojmë që janë të rëndësishme për publikun, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim më shumë për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe lidhur me gjendjen apo trupin e së ndjerës. Është rast shumë i ndjeshëm. Keni parasysh që kemi të bëjmë me privimin nga jeta të bashkëshortes së të pandehurit dhe nuk mund të japim më shumë informata lidhur me mënyrën apo se kush ka qenë prezent në vendin e ngjarjes.”, tha ai.

Tutje ai tha se kanë bërë nxjerrjen e së kaluarës kriminale për të dyshuarin dhe ka rezultuar se i njëjti në vitin 2021 e ka pasur një rast të dhunës në familje.

Ai nuk deklaroi nëse tre fëmijët e çiftit kanë qenë të pranishëm në banesë në momentin e krimit, por shtoi se tashmë të tre gjenden te familjarët e tyre.

“Sigurisht që menjëherë e kemi bërë nxjerrjen e të kaluarës kriminale. Kemi informata që i njëjti ka pasur vepra të dhunës në familje për një rast të mëhershëm në vitin 2021. Fëmijët sigurisht që janë tek familjarët. Ata kanë pasur tre fëmijë. Duhet të jenë rreth moshës 45 vjeçare. Është dorëzuar vet menjëherë pas kryerjes së veprës penale”, ka thënë Qavolli para mediave.

Pas këtij rasti, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist protestoi sot në Prishtinë dhe u kërkua të shpallet gjendje emergjente.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka reaguar pas lajmit të tmerrshëm.

Ajo ka thënë se fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja ju ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.

“E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë”.

Ndryshe, nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights