Publikimi i pamjeve dhe audio-regjistrimeve ekskluzive nga emisioni “MAT” në Klan Kosova ka sjellë në dritë momente tronditëse nga përpjekjet e Arlinda Zekajt për të kërkuar ndihmë institucionale.
Në materialet e siguruara, Arlinda shihet teksa drejtohet në stacionin policor për të kërkuar sqarime dhe ndihmë lidhur me gjendjen e djalit të tyre dhe situatën e tensionuar. Mirëpo, në vend të mbështetjes, ajo është ballafaquar me një qasje refuzuese nga zyrtari policor.
Në bisedën e zbardhur nga audiopërgjimet, polici dëgjohet duke i thënë se nuk merret më me rastin e saj, duke u shprehur: “Sa herë po vjen e kërkon Farukun dhe po e gjen Farukun, unë s’kam më obligim për ty, e kam obligim me të çu deri te dera e shtëpisë”.
Përballë kësaj indiference dhe mungese veprimi, Arlinda i ka tërhequr vërejtjen prerazi zyrtarit policor për rrezikun që i kanosej, duke e paralajmëruar se ajo mund të përfundojë e vrarë, por se dikush do të duhet të jepni llogari për këtë: “Unë vritem, por dikush ka me dhënë përgjegjësi”.
Reagimi i policit ka qenë sërish refuzues, duke i thënë se nuk pranon më të merret me të dhe se prania e saj aty është vetëm një detyrim moral: “Dëshmitar i ke edhe qetë qitu, se unë me ty s’kam me të pranu. E kam obligim moral, se s’kam asnjë obligim për ty më”.
Këto materiale hedhin dritë mbi dështimet e njëpasnjëshme institucionale dhe mungesën e reagimit të duhur në kohë, të cilat paraprinë ngjarjen tragjike që i kushtoi jetën Arlinda Zekajt.
