U rrah brutalisht nga ish i dënuari pse nuk i dha birra, vdes në spital 80-vjeçari Namik Rustemi

Rreth një javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Povelçë të Fierit më 12 Tetor, ku Ilir Nukaj dhunoi barbarisht çiftin e bashkëshortëve të moshuar, pronarë të një dyqani të vogël, pse nuk i dhanë birra, ka ndërruar jetë në spital 80-vjeçari.

Namik Rustemi nuk mundi t’i mbijetonte dot plagëve dhe që nga fundjava e kaluar ishte në intubim. Ai kishte marrë goditje grushtash e shkelmash në kokë dhe trup. Edhe bashkëshortja e tij 77-vjeçare mori lëndime, por pa rrezik jete.

Policia e arrestoi Nukajn menjëherë pas krimit dhe ai ndodhet në paraburgim.

Bashkëshortja A. Rustemi pas mjekimit u kthye në banesë. Ajo i rrëfeu Policisë dinamikën e krimit dhe se kush ishte agresori. Gazetari i Report TV, Kristaq Thano, raporton se Prokuroria e heton Nukajn me veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” dhe Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda e arrestuan të dyshuarin 47-vjeçar, që në momentin e sulmit dyshohet se ka qenë në gjendje tejet të dehur. Ai ka kërkuar birra në dyqan, por të moshuarit refuzuan pikërisht për shkak të gjendjes së alkoolizuar. Nukaj, që mbante edhe emrin Ledjan, nuk e ka pritur mirë, duke i rrahur barbarisht të dy.

Ai njihej si person problematik në zonë, teksa banorët dhe nusja e të moshuarve rrëfyen pas ngjarjes dinamikën dhe tronditjen e pësuar nga kjo ngjarje.

Nukaj ka qenë i dënuar me 10 vite burg për një tentativë vrasjeje të ndodhur 12 vite më parë në këtë zonë, teksa plagosi rëndë me thikë një pronar lokali, të cilin e kishte vjedhur më parë dhe i dëmtuari e kishte denoncuar. Gjithashtu OFL e kishte hetuar dhe verifikuar për pasurinë në vitin 2020.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here