Sot, dita e solsticit të verës dhe dita më e gjatë e vitit

21 qershori njihet ndryshe si “solstici i verës” dhe si dita më e gjatë e vitit. Fjala solstic rrjedh nga latinishtja: sol (“diell”) dhe sistere (“qëndrimi i palëvizshëm”).

Solsticet, së bashku me ekuinokset, janë të lidhura me stinët, të korrat dhe jetesën. Prandaj, shumë kultura festojnë kombinime të ndryshme të solsticeve, ekuinokseve dhe pikave ndërmjet tyre, duke sjellë festa që lindin prej këtyre ngjarjeve.

Duke pasur parasysh se solsticet dhe ekuinokset simbolizojnë pjellorinë e tokës, sistemet e prodhimit bujqësor dhe ushqimor, trashëgiminë kulturore dhe traditat e tyre mijëravjeçare; Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranoi se kremtimi i këtyre ngjarjeve është një mishërim i unitetit të trashëgimisë kulturore dhe traditave shekullore, dhe më tej luan një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis popujve mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe idealet e paqes dhe të fqinjësisë së mirë. Prandaj, OKB e njohu 21 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Festimit të Solsticit.

Festimi me zjarre i solsticit veror të zonës së Pirenejve është një nga pasuritë e regjistruara në listën e UNESCO-s.

Sapo bie nata, njerëz nga qytete dhe fshatra të ndryshëm mbajnë pishtarë flakërues poshtë maleve për të ndezur një sërë fenerësh të ndërtuar tradicionalisht. Zbritja është një moment i veçantë për të rinjtë, që nënkupton kalimin nga adoleshenca në moshën madhore. Festivali konsiderohet një kohë për rigjenerimin e lidhjeve shoqërore dhe forcimin e ndjenjave të përkatësisë, identitetit dhe vazhdimësisë me festime duke përfshirë folklorin popullor dhe ngrënien e përbashkët.

Elementi ka rrënjë të thella në komunitetet lokale dhe është përjetësuar falë një rrjeti shoqatash dhe institucionesh lokale. Vendi më i rëndësishëm i transmetimit është familja, ku njerëzit mbajnë të gjallë kujtimin e kësaj trashëgimie./atsh/KultPlus.com

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights