“S’ka qenë e pa pritur vdekja e tij”. Miqtë tregojnë telefonatën e fundit me poetin

Ditën e pardjeshme është dërguar për në banesën e fundit, poeti i njohur Agim Doçi. Në emisionin “Vizioni i Pasdites” ishin të ftuar miqtë dhe familjarët e tij për të kujtuar momentet më të bukura me poetin.

Albi Llushi, mik i familjes Doçi tregoi se telefonata e tij e fundit ishte pikërisht me poetin. Mes rrëfimeve, Llushi shprehu se poeti Agim Doçi duhet të ishte përcjellë për në banesën e fundit me homazhe, por familjarët e tij nuk kishin marrë asnjë ftesë nga institucionet shtetërore.

“Ka qenë biseda ime e fundit me të. U habita se nuk më kishte marrë kurrë në orë aq të vona të natës. Dhe pasi mora vesh lajmin për ndarjen e tij, thash ja ka ndjerë zemra që të jepte përshëndetjen e fundit. Për mua dhe për çdo artist të ri ai ka qenë një mbështetje shumë të madhe. Gjej rastin ta falenderoj dhe pse ai nuk është më mes nesh. Një poet si Agimi nuk do të ketë kurrë datë vdekje do të ketë vetëm datë lindje.

Për lajmin e hidhur më njoftoi e motra, Teuta dhe tha që kishte ndodhur kjo hemoragjia celebrale. Më erdhi shumë keq. Uroj që ai të mos ketë vdekur me pengje. Agim Doçi nuk donte lekë nga shteti, donte përkrahje, donte vlerësim. Nuk mund t’i kërkosh ti institucioneve, duhet të vinte ftesa se ky ishte vlerësimi”, tha Albi Llushi.

Aktori i njohur si dhe njëkohësisht miku i ngushtë, Çun Lajçi mes lotëve kujtoi momentin e njohjes me poetin.

“S’ka qenë e papritur vdekja e tij, se herën e fundit që e takova dhe mori librin tim, e pashë që gjakderdhja e parë i kishte lënë pasoja. Agimin e kam njohur në kohën kur ai ishte keq ekonomikisht. Nëse ka qenë kush që ka dashur Kosovën, ai ka qenë Agim Doçi. Ka shkruar shumë për Kosovën. Ka qenë artist rebel gjithë jetën. Fizikisht jemi parë shumë pak, por dëgjoheshim shumë shpesh bashkë. Më është dhimbsur… nëse ka parë një lule të kuqe ka thenë është e kuqe, nëse e zezë e ka thenë e zezë”, deklaroi Çun Lajçi. /gazetatema

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights