Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Europian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë.
Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua vetëm sot. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiq ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha dje ai për mediumin publik.
Para tri ditëve, kryeministri Kurti udhëtoi drejt Brukselit për të marrë pjesë në një drekë pune të shtruar nga presidentja e Komisionit Europian për gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor e që temë kyçe kishte Planin e Rritjes që ka hartuar BE për rajonin.
Pas takimit që pati me von der Leyen, Kurti tha se anëtarësimi në BE “mbetet objektiv i qartë i yni” dhe se është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.
“Hapin e parë formal të aplikimit e kemi bërë dhjetorin e vitit 2022, dhe bashkë me rikthimin e zgjerimit në agjendën e Bashkimit Evropian, është koha e duhur që Kosova të marrë statusin e merituar të vendit kandidat. Kemi përmbushur shumë reforma, treguar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave evropiane e demokratike si dhe nivel të lartë të përgatitjes institucionale. E dëshmuam këtë edhe me Planin e Rritjes, ku jemi vendi i parë që kemi avancuar me hapat e nevojshëm, si dorëzimi i Agjendës së Reformave”.
Kurti tha se zgjerimi i Bashkimit Europian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe unitetin e Europës.
Ndërkaq, në takimin me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, që pati Kurti pas von der Leyen, dha zotimin se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut.
Gjithashtu, Kurti u zotua për përkushtim angazhim konstruktiv në procesin e dialogut./Express/