Qeveria “dorëlirë” me mërgimtarët

Mërgimtarët që këtë verë do ta përdorin transportin rrugor për të ardhur në Kosovë, procedurat kufitare do t’i kalojnë më lehtë.

Qeveria kësaj radhe po ua paguan tërësisht policën e sigurimit.

Atyre u mbetet që në platforma online, ta shkarkojnë dokumentin para se ta marrin rrugën për vendlindje.

“Duke pasur parasysh që një policë e tillë kufitare, sidomos kur kemi fluks gjatë muajve korrik dhe gusht krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë dhjetëra orësh që bëjnë mërgimtarët, në momentin kur arrijnë në pika kufitare prapë do të ketë vonesa në mënyrë që të nxjerrin policën kufitare, ideja është që kësaj radhe ta bëjmë përmes qasjes online”, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Përveç kësaj, të enjten, qeveria ndau edhe tre milionë euro, në kuadër të masës për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa.

Kjo i lehtëson procedurat për mërgimtarët që duan të hapin biznes në Kosovë.

“Një biznes nëse në të kaluarën për të marrë një milion euro kredi iu është kërku nga banka që të ofrojë 2 milion euro asete, prona të paluajtshme, kësaj radhe me këtë dritare do të mundësohet që kërkesa për siguri nga banka të jenë dukshëm më të vogla dhe të llogaritet kryesisht vetëm pjesëmarrja e ekuitetit, ndërsa pjesa tjetër që financohet do të garantohet nga kjo dritare”, tha Murati.

Veçse kjo më shumë po shihet si fushatë politike.

“Pa dyshim që ky është një vendim politik, sipas vendimeve, qeveria ka filluar me fushatë zgjedhore. Kjo shumë për diasporën nuk është shumë domethënëse, nuk është diçka që ndikon tek ata për me pasë ndonjë lehtësim”, tha Fidan Qerimi, ekonomist.

Dallimi i vendimit të sivjetmë me herët e kaluara është se tash kosovarët e diasporës nuk kanë nevojë që fillimisht të paguajnë për policën, e më pas qeveria t’i rimbursojë ata. Vetë ministri Hekuran Murati e pranoi se kjo nuk kishte funksionuar, meqë, sipas tij, logjistikisht ishte e papërshtatshme. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights