Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka njoftuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar një ftesë për kryeministrin Albin Kurti, i cili është edhe njëherit kandidat për kryeministër i koalicionit LVV-GUXO dhe Alternativa. Siç merr vesh Gazeta Express, Kurti është ftuar nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit.
Kryeziu në profilin e tij ka thënë se njoftimi për ftesën i ka ardhur nga kryeministria derisa Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së VV-së për të përmbyllur listën e kandidatëve për deptuetë, ndonëse ftesa e Prokurorisë e mban datën 10 dhjetor 2024.
Kryeziu ka shtuar edhe pak dramë për këtë ftesë, duke pretenduar se përmes kësaj ftese po tentohet të ndërhyhet në zgjedhje.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale.Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu./Express/
Sipas ftesës, Kurti duhet të paraqitet në Prokurori Speciale më 16 dhjetor 2024. Në Prokurori Speciale më herët është paraqitur edhe zyrtarja e lartë e VV-së, Dejona Mihali./GazetaExpress/