Përparim Rama thotë se ka bërë zgjidhjen përfundimtare të problemit të trafikut të stërngarkuar në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar atë që ai ka thënë se është “zgjidhja përfundimtare” që i jep fund problemit të trafikut në kryeqytet.

Sipas Ramës, trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti, dhe një zgjidhje duhej të bëhej.

I pari i Prishtinës tha se në bazë të matjeve që kanë bërë, del se rreth 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet, prej tyre 13 mijë vetëm gjatë pikut të ditës.

“Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës. Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka thënë se pritjet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet.

“Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune”, ka shkruar ai.

Por, sipas tij krejt, këto i takojnë të shkuarës.

“Zgjidhja e problemit të trafikut nga Shërbimi i Arkitetktit i Kryeqytetit (SHAK) dhe kryeqyteti bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h”, ka shkruar ai.

Sipas Ramës, një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, i cili paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here