Para dy ditësh, Kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se ka informacione të sakta se qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.
Një zë kritikë ndaj kësaj deklarate është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj.
Në “FIVE” të Dukagjinit, Qalaj e cilësoi këtë deklaratë si një akt populizmi, duke e kritikoi Konjufcën për përdorimin e këtyre informacioneve për qëllime politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
“Ju e dini që ne kemi një vit zgjedhor dhe Kosova është në prag të zgjedhjeve, meqenëse afati i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve është brenda 6 muajve. Normalisht, kur ke liderë të institucioneve që janë populistë, ke informata të tilla”, ka thënë Qalaj.
Sipas tij, publikimi i këtyre informacioneve mund të shkaktojë panik dhe frikë te popullata, ndërsa në vend të kësaj, ato duhet të përdoren për përgatitjen e institucioneve të sigurisë për situata të mundshme.
“Çdo informatë që ka zoti Glauk Konjufca, por edhe ne të gjithë, duhet t’ia plasojmë institucioneve të sigurisë dhe të mos ta torturojmë popullatën me lajme të tilla. Nëse i marrin dhe i publikojnë, është shumë e keqe. Në vend që të dalim me opsione që ta terrorizojmë dhe frikësojmë popullatën e Kosovës, ne ato informata duhet t’i shfrytëzojmë, sidomos institucionet e sigurisë që të përgatiten për situata të tilla”, ka shtuar Qalaj.