Në Skenderaj përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit që ishte vrarë gjatë luftës nga serbët

Në Skenderaj sot u zbulua skulptura e Leutrim Ahmetit, shtatë vjeçarit i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Vendosja e kësaj skulpture u bë pikërisht në ditën kur qyteti i Skenderajt shënon ditën e çlirimit, transmeton Telegrafi.

Leutrim Ahmeti është njëri nga fëmijët shqiptarë që u vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ishte 7- vjeçar dhe ndërroi jetë me 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros.


Skulptori që ka bërë këtë vepër artistike, Sabri Behramaj, para disa ditësh për Telegrafin ka thënë se fillimisht ishte frymëzuar nga intervista e Nusret Pllanës me nënën e 7-vjeçarit, e cila ishte shpërndarë edhe në rrjetet sociale.


“Pasi e dëgjova rrëfimin e nënës u preka thellë dhe për një moment e ndjeva si obligim që të bëj diçka nga mundësitë e mia për ta kthyer ngjarjen në vepër arti”, kishte thënë Behramaj.


Ndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-99 nga forcat serbe janë vrarë mbi 1 mijë fëmijë dhe mbi 100 konsiderohen të zhdukur. /Telegrafi/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here