Shërbimet europiane të inteligjencës paralajmërojnë se Kremlini po intensifikon sabotazhet, sulmet kibernetike dhe operacionet destabilizuese kundër vendeve të NATO-s.
Lufta në Ukrainë nuk shënon fundin e ambicieve të Vladimir Putinit, i cili një ditë mund të kërcënojë edhe Europën kontinentale, sipas zyrtarëve të shërbimeve europiane të inteligjencës.
Ndërsa Rusia nuk po arrin të fitojë terren në luftën në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin duket se po kërkon një përplasje më të gjerë në Europë, duke shënjestruar gjithnjë e më shumë infrastrukturën kritike dhe zinxhirët e furnizimit, deklaroi një nga drejtueset më të larta të shërbimeve britanike të inteligjencës.
“Rusia po intensifikon aktivitetet e saj hibride të përditshme kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe Europës”, deklaroi Anne Keast-Butler, drejtoreshë e GCHQ-së, agjencisë britanike të përgjimeve elektronike. Sipas saj, shërbimi po përballet me ato që ajo i quajti “përpjekje të pamatura për sabotim dhe atentate” nga Kremlini.
Deklaratat, të publikuara nga “New York Times”, janë pjesë e fjalimit vjetor që Keast-Butler do të mbajë në Bletchley Park, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore deshifruesit britanikë zbulonin komunikimet armike.
Sot, punonjësit e inteligjencës operojnë në qendra në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke mbledhur komunikime të përgjuara elektronikisht dhe duke u përpjekur të qëndrojnë një hap përpara kundërshtarëve që, sipas saj, po shfaqin “sjellje gjithnjë e më të guximshme”.
Komentet e saj vijnë në një periudhë të paqëndrueshme për Botën, ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë, konflikti në Lindjen e Mesme po trondit ekonominë globale dhe Donald Trump po vë vazhdimisht në pikëpyetje aleancën ushtarake të NATO-s, një faktor kyç për frenimin e agresivitetit të Vladimir Putinit.
Taktikat hibride të Moskës
Zyrtarja britanike tha se shërbimi i saj është përqendruar në përballimin e kërcënimit rus dhe veçanërisht të kërcënimeve hibride që Putini po përdor për të frikësuar Europën, me synimin për të përçarë NATO-n dhe për të nxitur ndasi në Perëndim. Këto taktika përfshijnë sulme kibernetike, sabotime, atentate dhe fushata dezinformimi që synojnë destabilizimin e ekonomive dhe institucioneve të vendeve europiane.
Mes veprimeve agresive për të cilat zyrtarët europianë akuzojnë Rusinë përfshihen dërgimi i dronëve dhe vendosja e eksplozivëve në një linjë hekurudhore në Poloni, ndërhyrja në sistemet e navigimit ajror mbi Suedi, sulme ndaj sistemeve të një dige në Norvegji, si edhe një komplot për vendosjen e pajisjeve zjarrvënëse në avionë.
Zyrtarët lituanezë njoftuan së fundmi arrestimin e 9 personave të dyshuar për pjesëmarrje në një komplot që përfshinte atentate dhe sabotime në të gjithë Europën, të organizuar sipas tyre nga shërbimi ushtarak rus i inteligjencës, GRU.
Deri tani, përpjekjet e Vladimir Putinit për të përçarë Perëndimin nuk kanë arritur rezultate të rëndësishme, pasi vendet europiane po rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe po forcojnë bashkëpunimin mes tyre.
“Ndërsa ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën, Putini po tërhiqet në fushën e betejës”, deklaroi Keast-Butler.
Britania pritet të shpallë një traktat të ri mbrojtjeje dhe sigurie me Poloninë, në përgjigje të kërcënimeve në rritje në Europë. Kryeministri polak Donald Tusk pritej të udhëtonte drejt Londrës për nënshkrimin e marrëveshjes.
“Kjo marrëveshje përbën hapin më të madh përpara në marrëdhëniet tona me Poloninë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në një brez të tërë. Ajo do të na ndihmojë të përballemi me kërcënimet moderne të sigurisë, të cilat mund të jenë më pak të dukshme, por jo më pak të rrezikshme”, deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer.
Lufta në Ukrainë nuk është fundi i ambicieve të Putinit
Zyrtarë të inteligjencës në të gjithë Europën shprehin shqetësim të thellë për agresivitetin e Vladimir Putinit dhe refuzimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht humbjeve të mëdha të ushtrisë ruse.
Shumë prej tyre besojnë se lufta në Ukrainë nuk përbën fundin e ambicieve të Putinit dhe se ai një ditë mund të kërcënojë drejtpërdrejt Europën kontinentale. Lideri rus e ka krahasuar veten me Carin Pjetri i Madh, i cili zgjeroi ndjeshëm Perandorinë Ruse.
Në dhjetor, drejtuesja e MI6 britanike, Blaise Metreweli, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun rus. Shërbimi që ajo drejton specializohet në rekrutimin e agjentëve, ndërsa GCHQ merret me përgjimet dhe inteligjencën elektronike.
“Ne të gjithë vazhdojmë të përballemi me kërcënimin e një Rusie agresive, ekspansioniste dhe revizioniste, që synon të nënshtrrojë Ukrainën dhe të ushtrojë presion ndaj NATO-s”, deklaroi Metreweli, duke shtuar se Rusia “po na teston në zonën gri me taktika që qëndrojnë pak nën pragun e luftës”.
Gjatë paradës së Ditës së Fitores në Moskë, Vladimir Putin e quajti luftën kundër Ukrainës “të drejtë” dhe deklaroi se Ukraina po armatoset dhe mbështetet nga NATO.
Në fjalimin e saj, Keast-Butler pritet të ndalet edhe te Kina, duke theksuar se vendi është kthyer tashmë në një superfuqi në shkencë dhe teknologji, me kapacitete të avancuara në inteligjencë, siguri kibernetike dhe ushtri. Sipas saj, Kina ka kryer sulme të gjera kibernetike, përfshirë operacionin e njohur si “Salt Typhoon”, i cili kishte në shënjestër më shumë se 80 vende.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë janë afruar më shumë që nga nisja e luftës në Ukrainë, ndërsa të dy vendet kërkojnë të bashkërendojnë qëndrimet kundër Perëndimit, një zhvillim që shqetëson Britaninë dhe aleatët e saj.
Keast-Butler tha se Britania dhe aleatët e saj ndodhen në një moment vendimtar për shkak të “një epoke të re pasigurie të thellë, rivaliteti gjeopolitik dhe teknologjie që ndryshon me shpejtësi”. Sipas saj, Perëndimi duhet të ruajë avantazhin e tij teknologjik.
/Përshtati Pamfleti/
