Mustafa: Kurti s’e përmbushi asnjë kriter për liberalizimin e vizave

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka përmbushur asnjë kriter për liberalizimin e vizave, proces ky që thotë se nisi në vitin 2009 nga Qeveria e atëhershme, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thënë se nga 95 kushte-kriteret  që i kishte Kosova, 93  ishin përmbushur në vitin 2016 dhe dy të fundit, formalisht në vitin 2018.

“Nga Liberalizimi i vizave nuk është akt, për të përvetësuar meritat nga askush. Është proces i filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2009 i negociuar me Komisionin Evropian në qershor të vitit 2012, kur iu prezantua Kosovës Udhërrëfyesi për liberalizim që përcaktonte një listë të gjerë kriteresh (kushteve, standardeve) pra reformash nga riintegrimi, ripranimi,  siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, migracioni, azili, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liria e lëvizjes e deri te demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”, shkroi ai.

Mustafa ka shtuar se sipas Komisionit Evropian, në raportin e 18 korrikut të vitit 2018, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

“Në këtë raport shpjegohet po ashtu   se Komisioni pas 4 raporteve të progresit, më 4 maj të vitit 2016 kishte dhënë propozimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.  Propozimi bazohej në mirëkuptim se në kohën kur ai miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të kishte forcuar historikun e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, shkroi Mustafa më tej në Facebook.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me dy partitë tjera opozitare që ishin në vitin 2028, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, bashkë me disa deputetë të LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës se vonuan heqjen e vizave me kundërshtimin për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

“Opozita kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi duke trilluar se Kosova po humb 8200 hektarë. Demarkacioni u votua në mars të vitit 2018, gënjeshtrat u gëlltitën,  por qytetarët e Kosovës u dashtë të presin edhe 7 vjet para ambasadave, të humbin kohë e të shpenzojnë para. Për këtë vonesë nuk mund të fajësohet vetëm Vetëvendosja, ishin edhe parti të tjera opozitare ( AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK. Këta kalkulantë të votave, Kosovës nuk ia kthyen asnjë hektar nga predikimet e tyre, por qytetarëve ua zbrazën gjepat, kurse gënjeshtrat dhe mashtrimet i shitën dhe vazhdojnë ti shesin në tregun e lirë të popullizmit. Liberalizimi i vizave në vitin 2016 do të kishte domethënie tjetër politike, kurse përfitimet e shtetit dhe të qytetarëve do të ishin shumë të  mëdha. Por shumë më mirë vonë sesa të mbeteshim në geto!”, përfundoi Mustafa.

Ndryshe, që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët kosovarë kanë mundësi që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights