Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka thënë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente dhe ta komplikojë sitautën e dialogut edhe më tej.
Lajcak në një intervistë për Kosovo Online ka thënë se hapja e Urës është objekt i marrëveshjeve të arritur anë Bruksel dhe se hapja duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe dakorduar. Emisari sllovak ka thënë se asnjëherë s’është mirë që partnerët të befasohen.
Ai ka shprehur gatishmëri që ta vendos në axhendë të takimit të radhës në Bruksel nëse Kosova dhe Serbia kanë gatishmëri.
“Ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Nuk është kurrë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016.
Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar. Çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, me kënaqësi do ta vendos këtë çështje në axhendën e takimit të radhës të kryenegociatorëve”, ka thënë Lajcak./Express/